Kurti ngushëllon familjen Dashi dhe Trena, por ka një porosi për Qeverinë
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ka shprehur ngushëllime familjes Dashi dhe Trena me rastin e vdekjes të policëve Malsor Dashi dhe Armend Trena.
Ai ka thënë se i gjithë populli ndjen dhimbje për vdekjen e Dashit dhe Trenës, si pasojë e një aksidenti në magjistralen Kaçanik-Hani i Elezit
“Edhe pse shumë shpresuam që të gjendeshin të gjallë, 9 ditë pas zhdukjes së tyre u gjet edhe trupi i pajetë i policit Armend Trena, 4 ditë pasi u gjet trupi i kolegut të tij Malsor Dashit. I gjithë populli ndjen dhimbje e pikëllim për këtë fatkeqësi. Në solidaritet të plotë me familjet Trena e Dashi, shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për humbjen e dy policëve të Republikës sonë”.
“Qeveria e Kosovës duhet të vetëdijesohet nga raste të tilla e t’i pajisë policët me sigurim jetësor. Për shkak të natyrës së profesionit, policët përballen me rrezikshmëri të lartë, prandaj secili prej tyre duhet të ketë sigurim jetësor. Po ashtu, familjarët e secilit polic që humb jetën në detyrë, duhet të marrin një status të veçantë, që t’ua sigurojë përkrahjen ekonomike bashkëshortëve, si dhe fëmijëve të tyre deri sa të arrijnë moshën madhore”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/