Kurti ngushëllon Turqinë për 39 viktimat e dy ortekëve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur keqardhje për fatkeqësinë natyrore që ka ndodhur dje në lindje të Turqisë, ku dy ortekë kanë shkaktuar deri më tani 39 viktima.
Me këtë rast, Kurti, i ka shprehur ngushëllime popullit të Turqisë dhe presidentit Rexhep Taip Erdogan për viktimat.
“Në mëngjes lexova në lajmet nga bota për fatkeqësinë që kanë shkaktuar dy ortekë në lindje të Turqisë. Orteku i dytë mori jetë edhe prej ekipeve të shpëtimit që po kërkonin trupat e viktimave nga orteku i parë. Deri më tani janë 39 viktima, e shpresojmë që ky numër të mos rritet. Ngushëllime për popullin mik të Turqisë, për familjarët e viktimave, e për kryesuesit e institucioneve, presidentin Erdogan dhe kryeparlamentarin Sentop. Uroj që të lënduarit e shumtë të bëhen mirë sa më shpejt, e dëshiroj që ekipet e shpëtimit ta kryejnë me sukses punën e tyre e pa viktima të tjera”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.