Kurti njofton për takimin me Ndihmës Sekretarin e NATO-s, Thomas Goffus – s’e përmend hapjen e Urës së Ibrit
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar për takimin që ka zhvilluar sot me Thomas Goffus, Ndihmës Sektretarin e Përgjithshëm për Operacione të NATO’s.
Në këtë postim, Kurti nuk e ka përmendur fare çështjen e urës së Ibrit, ndonëse dje deklaroi se në takimin me të dhe kryediplomatët që do të vijnë në vend javën e ardhshme do të diskutohet për planin për hapje, shkruan Reporteri.net.
Kurti ka thënë se së bashku me NATO-n e miqtë e aleatët, “mbetemi të përkushtuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon, teksa e rrisim bashkëpunimin e ngushtë e të rregullt me njëri-tjetrin”.
“Sundimi i rendit e ligjit mbeten parësore. Do të vijojmë pareshtur të mbrojmë qytetarët e territorin, sovranitetin dhe demokracinë, pavarësinë dhe lirinë, si dhe progresin e prosperitetin tone”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka thënë se në tri vitet e fundit, Kosova ka njohur progresin më të madh ndonjëherë ekonomik dhe demokratik.
“Institucionet tona të sigurisë kanë treguar maturi e përgatitje në përballjen dhe zmbrapsjen e sulmeve të Serbisë”, ka deklaruar Kurti.