Kurti njofton për vendimet që u votuan mbrëmë në mbledhjen e qeverisë
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar përmes “Facebook”-ut se në mbledhjen e 158-të të qeverisë, mbrëmë, morën tri vendime të rëndësishme, për mirëqenien e qytetarëve, sektorin e energjisë dhe kandidaturën e Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.
“Miratuam Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike për periudhën 2023-2024, nga i cili do të përfitojnë të gjitha familjet që kanë të hyra mesatare mujore më pak se 150 euro për anëtar të familjes. Ndamë 2.5 milionë euro për mbulesën e shumës së garancisë për cedimin e të drejtave ekskluzive të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, në rast se kandidatura e Kosovës shpallet e suksesshme. Aprovuam Programin për zbatimin e Strategjisë së Energjisë për periudhën 2022-2025”, ka njoftuar Kurti.