Kurti njofton Ziadin Selën me prioritet e qeverisë se re
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me anëtarin e Kryesisë, Glauk Konjfuca, dhe anëtarin e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj lëvizje, Bekim Qoku, ka pritur në takim kryetarin e Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Ziadin Sela, i cili ka qenë i shoqëruar nga kryetari Komunës së Gostivarit, Arben Taravari.
Në këtë takim, Sela e ka uruar Kurtin për procesin dhe rezultatin zgjedhor. Ai ka thënë se zgjedhjet e 6 tetorit kanë treguar bindjen e qytetarëve se politika është vendi ku arrihen ndryshimet e rëndësishme shoqërore.
Sela ka shprehur bindjen se me formimin e institucioneve të reja, me qeverinë e re, “do e kemi një sy dhe mendje më aktive për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Republikës së Kosovës”.
Ndërsa lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti e ka njoftuar Selën se prioritet i Qeverisë së re do të jetë zhvillimi ekonomik që sjell punësim, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë institucional dhe zbutja e pabarazisë në shoqëri përmes politikave sociale.
Më tutje, Kurti ka folur edhe për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, marrëdhëniet e shteteve dhe popujve në Ballkan, si dhe mundësitë e obligimin që të bashkëpunojmë e të bashkërendohemi.
Në fund të këtij takimi është thënë se fitorja e Lëvizjes i jep kuptim e shpresë përpjekjeve historike të shqiptarëve për një politikë barazimtare me dinjitet dhe këtë po e ndjejnë shqiptarët kudo që janë.
/Epoka e re/