Kurti: Nuk do të ndalemi derisa të dihet fati i të zhdukurve me dhunë
Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që ta rrisin presionin ndaj Serbisë, për 1 mijë e 617 të zhdukurit me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Kurti ka thënë se varret e hapura në Kosovë e “presin të vërtetën”.
“Pas rënies së Millosheviqit, në Serbi u zbuluan pesë varreza të mëdha masive, me gjithsej 950 njerëz tonë të rrëmbyer e të vrarë, të vrarë e të rrëmbyer, në Batajnicë, Peruqac, Petrovo Selo, Rudnicë e Kizhevak. Serbia ende vazhdon të qëndrojë mbi varre masive teksa i mohon ato. Sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që ta rrisin presionin mbi Serbinë, si përgjegjëse për zhdukjen e qytetarëve tonë, për të zbardhur fatin e tyre dhe për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit politikë ushtarakë e policorë për këto krime. Me angazhimin institucional për adresimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës, ne po vazhdojmë punën duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të zhdukurve”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Ai ka theksuar se qeveria është e përkushtuar për të vërtetën, për të gjitha zhdukjet me dhunë që kanë ndodhur në Kosovë.
“Në korrik shënuam hapin përfundimtar për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP). Shteti ynë, Qeveria e Republikës së Kosovës, janë të përkushtuar dhe po angazhohen për të vërtetën, për të gjitha zhdukjet me dhunë që kanë ndodhur në Kosovë. Në Ditën Ndërkombëtare të personave të zhdukur me dhunë, nderojmë të gjithë të zhdukurit me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Nuk do të ndalemi kurrë, derisa të dihet fati i tyre. Të gjithëve na mungojnë”, ka shkruar Kurti.