Kurti: Nuk duhet të hyjmë në dialog pa krye
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur tryezën “Alternativa e Vetëvendosjes për dialogun Kosovë-Serbi”, në të cilën kryetari i kësaj lëvizje ka prezantuar alternativën për këtë proces.
Përpos Kurtit në këtë tryezë kanë marrë pjesë përfaqësuesit e partive politike, përfaqësuesit diplomatik dhe shoqërisë civile.
Kurti në adresimin e tij ka thënë se njëra prej temave që ka marrë më së shumti kohë, energji e nerva ka qenë dialogu me Serbinë.
Ai ka theksuar se shqiptarët dhe serbët nuk ka nevojë për pajtim në Kosovë, por Serbia të pajtohet me njohjen e Kosovës.
“Lëvizja Vetëvendosje konsideron se çdo ditë që nuk ka dialog me Serbinë është ditë e humbur. Nuk ka nevojë që shqiptarët e Kosovës të pajtohen me serbët, ka nevojë që Serbia ta njohë Kosovën. Besojmë që shqiptarët dhe serbët nuk ka nevojë për pajtim në Kosovë por ka nevojë që Serbia të pajtohet me pavarësinë e Kosovës. Ajo çfarë propozojmë ne është dialog me serbët e Kosovës. Pika e dytë është që dialogu i vjetër ka pasur shumë investim e pak kthim. Dy rezultatet kryesore kanë qenë Lista Serbe dhe ‘Zajednica’”, ka thënë Kurti.
Më tutje, Kurti ka thënë se para se të fillojë dialogu me Serbinë duhet të shtrohen çështjet nga institucionet, shoqëria civile dhe mediet për diskutim me Serbinë.
“Nuk duhet të hyjmë në dialog pakrye, kemi nevojë për dialog kombëtar dhe dialog me Bashkimin Evropian për dialogun me Serbinë. Nuk guxojmë që normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë ta rrëmbej agjendën e shtetit të Kosovës. Për çështjen e shkëmbimit territorial, Serbia dëshiron që ne të dëshirojmë shkëmbimin territorial. Kur zyrtarët e lartë kërkojnë shkëmbim territorial, shprehin gatishmërinë për heqje dorë në veriu”, ka thënë Kurti.
Ndërsa drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë se kanë bërë një raport ku janë përfshirë disa nga temat që janë diskutuar me Serbinë.
“Nga ky takim kemi shpërndarë një raport që përfshinë disa diskutime për disa çështje që janë biseduar në Kuvend lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. Ndër temat me të rëndësishme ka qenë asociacioni, tema për drejtësi, tema për të pagjeturit”, është shprehur Kryeziu.