Kurti nuk e di saktë nëse sot do të ketë marrëveshje me LDK-në
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, para takimit me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka dhënë një deklaratë për media.
Ai shpreson që marrëveshja me LDK-në për bashkëqeverisje do të arrihet shumë shpejt.
Kurti ka bërë me dije se qeveria e ardhshme do të ketë 12 ministri.
“Sot do t’i vazhdojmë bisedimet për formimin e qeverisë së re, në të cilën unë si kryeministër i ri do t’i kem 12 ministri. Këto bisedime do t’i zhvillojë me liderin e LDK-së, z. Isa Mustafa. Deri më sot ne kemi harmonizuar programin 100 për qind. Uroj, besoj dhe shpresoj se do të merremi vesh edhe për ndarjen e përgjegjësive në ekzekutiv të atyre 12 ministrive për të cilën jemi marrë vesh. Këto bisedime do të fillojnë sot dhe do të vazhdojnë gjatë ditës së sotme. Na pret proces i bisedimeve, meqë kemi zotimin tonë që sa më parë dhe sa më mirë të përfundojë”, ka thënë Kurti, raporton “Epoka e re”.
Kur është pyetur nga gazetarët nëse do të finalizohet sot marrëveshja LV-LDK, Kurti është përgjigjur: “Shikoni marrëveshja është marrëveshje mes dy palëve, kur të merrmi vesh do të ketë marrëveshje”.
/Epoka e re/