Kurti nuk e përfshin në agjendë takimin me Thaçin

08 mars 2020 | 23:19

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar për nesër takime me kryetarët e partive politike nga pozita dhe opozita.

Takimi me Albin Kurtin, kryeministër i Kosovës dhe kryetar i LVV-së është paralajmëruar në ora 13:00, me qëllim të informimit, konsultimit dhe koordinimit për çështje të interesit shtetëror.

Por, në agjendën e kryeministrit Kurtit për ditën e nesërme nuk është paraparë ky takim.

Aty përmenden pjesëmarrja në seancën e Kuvendit me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas dhe takime të tjera, por jo edhe ai me Thaçin.

Presidenti Thaçi ka paralajmëruar takime edhe me Isa Mustafën, ish-kryeministër dhe kryetar i LDK-së, Kadri Veselin, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i PDK-së, Ramush Haradinaj, ish-kryeministër dhe kryetar i AAK-së.

Takimet në Presidencë do të vazhdojnë me Fatmir Limajn, ish-zëvendëskryeministër dhe kryetar i NISMA-s dhe Behgjet Pacollin, ish-zëvendëskryeministër dhe kryetar i AKR-së në ora 14:15.

Ndërsa, kryeministri Kurti ka bërë të ditur se nesër pret në takim Dale Pfeiffer, themeluesin e Fondit Amerikan të Edukimit në Kosovë (KAEF), si dhe do të marrë pjesë në seancën për Ditën Ndërkombëtare të Gruas dhe në Shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore.

Gjithashtu, ka paralajmëruar edhe një takim me bordin e organizatës joqeveritare GERMIN.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Betis ka marrë një fitore befasuese kundër Real Madrid…