Kurti nuk i shkoi në takim, Osmani: Mund të shkoni në zyrën e tij dhe ta pyesni
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur të mërkurën takim me krerët e partive politike parlamentare.
Në takimin konsultativ të thirrur nga Osmani, nuk ishin të pranishëm zyrtarët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, por as të partisë kryesore të serbëve në Kosovë, Lista Serbe.
Osmani pas takimit ka bërë me dije se janë pajtuar që të bëhet analizimi e të gjitha datave dhe elementeve përkatëse për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare. “Ky vendim nuk është marrë sepse duhet t’i analizojmë diskutimet që i kishim me kryetarët e partive”, tha Osmani gjatë konferencës për medie pas takimit.
Sipas afateve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, Kosova mund të mbajë zgjedhje të rregullta më 26 janar, 2, 9 dhe 16 shkurt.
Osmani tha se partitë kishin preferenca të ndryshme sa i përket datës për mbajtjen e zgjedhjeve. “Nuk kishte insistim të tepërt nga partitë, kishte më shumë preferenca. Disa parti preferuan 26 janarin, ka tri a katër të tjera që preferuan 9 shkurtin, dy a tri tjera 16 shkurtin. Dhe kishte parti të tjera që nuk kishin fare preferenca”, u shpreh Osmani.
Osmani tha se aktualisht janë brenda afatit të konsultimeve për caktimin e datës për zgjedhje. “Mirëpo, nga data 26 korrik e tutje, presidentja fiton të drejtën dhe ta bëjë shpalljen e zgjedhjeve, kështu që afatet veçse ekzistojnë”, theksoi ajo.
E pyetur për mospjesëmarrjen e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në takimin konsultativ, presidentja Osmani tha se nuk i di arsyet.
“Të gjitha partitë kanë qenë të ftuara në nivel kryetarësh dhe nënkryetari i LV-së, Glauk Konjuca, shprehu gatishmëri të vijë sot në takim. Mirëpo, meqë krejt partitë ishin të njoftuara se ky takim konsultativ është vetëm për nivel kryetarësh, këtë parim e kemi mbajtur për të gjithë dhe ai e zbatoi me mirëkuptim. Kryetari i LV-së nuk ka qenë në takim. Ne nuk i dimë arsyet. Mund ta pyesni atë drejtpërdrejt. Mund të shkoni në zyrën e tij dhe ta pyesni”, u shpreh Osmani.