Kurti nuk i shkon Thaçit në takim edhe pse e kishte konfirmuar pjesëmarrjen
Kryeministri i Kosovës dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti nuk ka pranuar ftesën e presidentit Hashim Thaçi për takim.
Zyra e Presidentit në një përgjigje për medie ka sqaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh lider i Vetëvendosjes, e kishte konfirmuar takimin e sotëm me presidentin Thaçi në orën 13:00.
Ky takim, sipas Zyrës së Presidentit, është anuluar pak minuta para orës 13:00.
“Po, sot ka qenë i konfirmuar edhe takimi me kryeministrin Kurti, njëherësh lider i Vetëvendosjes. Ky takim është anuluar vetëm pak minuta para orës 13:00”, është thënë në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.
Presidenti Hashim Thaçi është takuar sot me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, atë të PDK-së, Kadri Veseli dhe liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj.