Kurti: Nuk ka amnisti për krimet e kryera nga serbët në Kosovë

26 prill 2020 | 21:49

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e 27 Prillit- Dita e të Pagjeturve, ka paralajmëruar se nuk do të ketë amnisti për krimet e kryera nga serbët gjatë luftës në Kosovë.

Ai në një postim në “Facebook” ka shkruar se zbardhja e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit do të jetë çështja e parë në dialogun e ardhshëm Kosovë – Serbi. “Nuk ka amnisti – por vetëm drejtësi. Sepse… të gjithëve na mungojnë”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë i Kurtit:

Përvjetori i Masakrës së Mejës ku u vranë e zhdukën 376 shqiptarë, por edhe Dita për Persona të Zhdukur, e shpallur në nderim të viktimave të masakrës së Mejës dhe gjithë të zhdukurve si pasojë e Luftës në Kosovë, na përkujton se kemi edhe shumë plagë të hapura.
Aktualisht, janë edhe 1641 persona të zhdukur. Janë familjet e 1641 personave që vazhdojnë të jetojnë në ankthin e pritjes, 1641 familje vuajtja e të cilave është stërzgjatë për më shumë se dy dekada. Fëmijë, tani të rritur bashkë me pritjen për një përgjigje. Pleq që nuk kanë njohuri për fatin dhe vendndodhjen e trashëgimtarëve të tyre.
Thuhet se koha shëron plagë, por kjo thënie dështon te familjet e të zhdukurve. Koha vetëm sa vjen e thellon plagët, venit shpresën dhe rëndon dhimbjen për këta familjarë.
Nuk është e mundshme të ndërtohet e ardhmja, pa u mbyllur si duhet e kaluara. Kemi obligim që të bëjmë gjithë sa mundemi që t’i prejmë rrugën kësaj drejtësie të munguar, duke e bërë çështjen e të zhdukurve si çështje të parë në dialogun e ardhshëm Kosovë – Serbi.
Nuk ka amnisti – por vetëm drejtësi.
Sepse… të gjithëve na mungojnë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se…