Kurti: Nuk kemi problem me shpronësimet, por me plaçkitjen që është bërë në emër të tyre
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur pyetjes së deputetes së AAK-së, Time Kadriaj lidhur me shpronësimet.
Kadriaj e ka pyetur Kurtin në Kuvend se a është kundër shpronësimeve në koncept dhe nëse nuk është kundër sa pronësime kanë bërë.
Kurti ka thënë se borxhet për shpronësime janë gjetur në vlerën prej 184 milionë euro dhe me zero buxhet të ndarë për to.
“Kemi gjetur proces të shpronësimit me keqmenaxhimm ne menjëherë kemi vepruar, kemi ndarë buxhet për ta ndarë borxhin e mbledhur, fillimisht gjatë rishikimit me 14.7 milionë euro kurse tash për vitin e ardhshëm 57 milionë euro, shuma më e madhe e ndarë ndonjëherë për t’i mbuluar obligimet nga shpronësimet. Parcela e një personi për shpronësim që është vlerësuar 90 mijë euro në vitin 2012 duke mos ja bërë pagesën me kohë brenda dy vitesh siç e sheh ligji për çdo vit me nga 7 për qind është grumbulluar dhe sot ai person i merr 140 mijë euro”, ka thënë Kurti.
Më tutje, kryeministri Kurti ka thënë se qeveria ka miratuar shpronësimet dhe shpronësimi si koncept do të përdoret sa herë që është e nevojshme për projekte të interesit publik.
“Shteti është në humbje ende pa u arritur vlera e interesit publik, ju shumë mirë e dini se si disa këtej kanë blerë qindra hektarë tokë, për një ari tokë, 1 e 3 euro kanë paguar përderisa vlera reale ishte shumëfishtë me e lartë në treg. E drejta e pronës është e garantuar me kushtetutë, kushtetuta parasheh shpronësimin në rastin kur kjo bëhet për interesin publik. Nuk kemi asnjë problem me shpronësimin si koncept, e aq më pak kur kjo mundëson realizimin e projekteve në të mirë të publikimit. Ne kemi problem me plaçkitjen që është bërë në emër të shpronësimit, dyfishimi i vlerave të pronave nga zyra pasi ato fillimisht janë vlerësuar nuk është shpronësim, është hajni. Ne si qeveri kemi miratuar shpronësimin dhe shpronësimi si koncept do të përdoret sa herë që është e nevojshme për projekte të interesit publik, por asnjëherë nuk do të lejojmë që përgjatë rrugës të na dyfishohen vlerat siç ju ka ndodhur juve”, është shprehur Kurti.