Kurti: Nuk mund të paguhen njerëzit për punën që nuk e bëjnë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sindikalistët që janë në grevë nuk mund të paguhen “për punën që nuk e bëjnë”.
Gjatë një ngjarjeje në Gjakovë, në ditën e përurimit të abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri, Kurti foli për grevën e punonjësve të arsimit dhe shërbyesve civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës, të cilët janë në grevë nga 25 gushti.
“Njerëzit duhet të paguhen për punën që e bëjnë sipas meritës. Nuk duhet të paguhen për mospunën. Kjo është jo vetëm një çështje e ligjit, jo e Qeverisë, por është një çështje e arsyes të shëndoshë njerëzore. Secili prej nesh jemi punëtorë, nuk jemi pronarë, paguhemi për punën”, ka thënë Kurti.
Reagimi i Kurtit vjen një ditë pas njoftimit të bërë nga ministri i Financave, Hekuran Murati, që tha se autoritetet kompetente kanë bërë ekzekutim të pjesshëm të pagave për muajin gusht. Kjo për arsye se nuk është përditësuar me kohë lista e personelit që ka punuar deri në fund të muajit.
Murati po ashtu tha se përditësim i listës së pagave është i nevojshëm pas grevës që kanë nisur sindikalistët.
Për ekzekutimin e pjesshëm të pagave, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, bëri të ditur më 1 shtator se kanë ngritur kallëzim penal.
Sindikalistët insistojnë se do të jenë në grevë deri në plotësimin e kërkesave nga Qeveria.