Kurti numëron të arriturat e qeverisë, njohjen e targave e quan manovër të Serbisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të qeverisë për këtë vit ka përmendur disa nga të arriturat që sipas tij kanë shënuar si ekzekutiv.
Ai ka thënë se suksese të qeverisë janë ndarja e subvencioneve për rrymë gjatë krizës energjetike, 100 euro për fëmijët dhe pensionistët si dhe për ndarjen e mjeteve për blerjen e druve për familjet që janë në asistencë sociale.
Kurti ka thënë se kanë mbajtur 62 mbledhje këtë vit dhe kanë marr 525 vendime, krejt kjo me qëllim zhvillimin e dhe fuqizimin e shtetit.
“Jemi në javën e fundit të fundit të vitit. Kjo është mbledhja e fundit e qeverisë për këtë vit. Gjithsej me këtë të fundit i kemi mbajtur 62 mbledhje këtë vit. Përmes votimit janë miratuar 525 vendime, pa llogaritur këtu vendime që janë në rend dite sot e së bashku kemi dhënë pëlqimin për 63 emërime, mbështetjen për 16 koncept-dokumente dhe pesë nisma legjislative. Përfitues ka qenë qytetari. Synimi ka qenë zhvillimi i vendit dhe fuqizimi i shtetit”.
“Në fillim të vitit ndamë shtesat për stafin shëndetësor dhe punëtorët e sektorit publik, kurse në fund të vitit ndamë shtesa për fëmijë nën moshën 16-vjeçare dhe për të gjithë pension marrësit. Ndërmjet këtyre morëm vendimin për pagesën për 590 specializantë me vetëfinancim dhe ndamë mjetet për t’i subvencionuar punëdhënësit e sektorit privat të cilët i rritën pagat për punëtorët e vet”, ka thënë Kurti.
Më tutje, Kurti ka thënë se qeveria do të marrë vendim për t’i lejuar targat e Serbisë, pasi Policia e Kosovës të sigurohet se Serbia po e zbaton plotësisht dhe pa pengesa vendimin që targat RKS të qarkullojnë lirshëm në Serbi.
Në këtë kontekst, Kurti e ka quajtur manovër vendimin e Qeverisë së Serbisë për targat, teksa ka shtuar se duhet të shihet në terren zbatimi i tij.
“Vendimin tonë të barasvlefshëm si çështje e marrëdhënieve reciproke do ta marrim sapo që policia jonë kufitare të dokumentojë dhe vërtetojë se Serbia po e zbaton të plotë dhe pa pengesa vendimin e saj. Besojmë se kjo qasje është e drejtë përveçse e arsyeshme”, ka thënë ai, raporton “EO”.
Kurti ka deklaruar se vendimi i Serbisë vjen pas më shumë se 10 vjetësh të moszbatimit të marrëveshjeve paraprake e përdorimit të çështjes së targave nga Serbia për dy vjet për të tensionuar situatën në veri të Kosovës.
Ai ka thënë se vendimi i Serbisë është marrë edhe për qëllimin që të ulen kritikat e ndërkombëtarëve mbi Serbinë, pas zgjedhjeve të dhjetorit.
“Targat në Kosovë, në shtator të 2021-s, përdoreshin për të kërcënuar Kosovën edhe përmes avionëve ‘MIG-29’ të ngritur në qiell përreth kufirit e për të tentuar destabilizim në veri, sidomos nëpërmjet 16 barrikadave që ishin ngritur rrugëve të komunave veriore për tri javë rresht në dhjetorin e vitit të kaluar, kurse në dhjetor sivjet po përdoren për të ulur presionin nga Perëndimi demokratik (BE-ShBA) mbi Serbinë për zgjedhjet jo të rregullta dhe jodemokratike, për të mbuluar refuzimin zyrtar të marrëveshjes bazike të Brukselit që i ka bërë letra e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, drejtuar Këshillit Evropian më 13 dhjetor dhe për të maskuar dështimin e tyre në Banjskë më 24 shtator”.
“Kështu duhet të lexohet ky veprim i Serbisë, që më shumë se konstruktivitet dhe hap drejt normalizimit, mbi bazën e shkronjës dhe frymës së marrëveshjes bazike, është manovër e radhës jo për hir të shtetit serb, kurrsesi për atë të Kosovës, por për hir të pushtetit në Beograd”, ka thënë Kurti.