Kurti: Numri i punëkërkuesve nga radhët e komuniteteve është rritur për 1/3 në krahasim me vitin e kaluar
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në vitin e dytë të qeverisjes krijuan një Fond të veçantë për komunitetet joshumicë, në vlerën prej 3 milionë eurove.
Ai ka thënë se përmes tij financuam 259 grante për fermerë, ndërmarrës të rinj dhe OJQ me qëllim nxitjen e punësimit te këto komunitete.
“Një vit më herët mbështetëm 123 projekte për biznese të vogla dhe ndërmarrëse nga radhët e të gjitha komuniteteve. Kurse këtë vit lansuam masën e veçantë të punësimit për 2,000 punëkërkues që jetojnë në komunat e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut. Atje tashmë kemi hapur Zyre të Punësimit dhe Zyrat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve. Te këto të fundit, së fundmi janë regjistruar mbi 50 biznese të reja”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Ai ka thënë se komunitetet joshumicë përbëjnë 17% të subvencioneve të Ministrisë së Ekonomisë për pajisje efiçiente, në kuadër të masave për efiçiencë të energjisë. “Ato gjithashtu përbëjnë 9% të praktikantëve me pagesë përmes programit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve ‘Kosova Generation Unlimited’, përqindje kjo përfaqësuese në raport me tërësinë e popullatës”, ka shkruar ai.
Kurti ka theksuar se në kuadër të Programit të Stabilizimit të Komuniteteve, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, Ministria për Komunitete dhe Kthim ka zbatuar 415 projekte të ndryshme përmes së cilave janë siguruar 543 vende të reja të punës, prej tyre 328 me orar të plotë, pjesa tjetër me orar të pjesshëm.
“Në bashkëpunim me Bashkimin Evropian gjithashtu janë ndërtuar ose rinovuar 116 shtëpi, për të siguruar kështu kthim të qëndrueshëm për komunitetet joshumicë. E përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, kemi ndarë edhe 3 milionë euro për ndërtimin dhe rinovimin e shtëpive bashkë me 4 milionë tjera gjatë viteve 2021-2024 për projekte infrastrukturore prej të cilave përfitojnë veçanërisht pjesëtarët e komuniteteve joshumicë në komuna të vendit tonë”, është shprehur Kurti.
Ai ka shtuar se kanë themeluan grupin ndërinstitucional për Promovimin e Punësimit të Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve. Sipas Kurtit, të dhënat e Agjencisë së Punësimit për vitin që lëmë pas tregojnë se numri i punëkërkuesve nga radhët e këtyre komuniteteve që kanë gjetur punë është rritur për 1/3 në krahasim me vitin pararendës.
“Nga viti i kaluar gjithashtu kemi filluar për herë të parë me transmetimin e drejtpërdrejtë të mbledhjeve të Qeverisë në gjuhën serbe, krahas respektimit të ligjit për përdorim të gjuhëve në komunikata për media dhe njoftimet nga Zyra e Kryeministrit. Në fund të vitit të kaluar miratuam Strategjinë për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre, dokument që u hartua dhe miratua për herë të parë e që ndër të tjera parasheh integrimin më të qëndrueshëm dhe përfaqësimin më proporcional në jetën institucionale të komuniteteve joshumicë”, ka pohuar Kurti.