Kurti: Opozita me një koalicion të përbashkët mund t’i fitojë 70 deputetë
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, ka thënë se në këtë vjeshtë do të ketë pranverë dhe sipas tij, ardhmëria nuk ka qenë kurrë më afër.
Ai është shprehur pro koalicionit parazgjedhor me LDK-në duke thënë se një koalicion i tillë mund t’i fitojë 70 deputetë.
“Koalicioni paraprak i opozitës së vërtetë të deridjeshme të bëhet qeveri e mirë e së nesërmes. Asisoj do t’i kemi së paku 70 deputetë. Pra, mund të fitojmë edhe pa betejë. Mbase më mirë ashtu, sepse betejat e vërteta e të mëdha do t’i kemi pikërisht pas fitores”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i tij:
Koha që u ka mbetur është vonesa që e shkaktojnë. Dikur ajo matej me muaj, tash me javë, e së shpejti veçse me ditë të numërueshme. Ardhmëria kurrë nuk ka qenë më afër.
Meqë 22 gushti u la për shpërndarjen e Kuvendit, i bie qe zgjedhjet e reja të jenë me 22 apo 29 shtator, ose 6 tetor. Pra, do të kemi pranverë në vjeshtë. Fitorja jonë në këto zgjedhje e fut shpresën në zemrat e qytetarëve për ta nxjerrë shtetin nga kriza e dështimi.
Duhet të fitojmë e do të fitojmë. Mirëpo, kësaj radhe është e mundur që të fitojmë edhe para zgjedhjeve!
Po, mund të fitojmë pas zgjedhjeve atëherë kur në natën e raportimeve të komisionerëve nga vendvotimet, ankthi na bëhet festë.
Ama mund të fitojmë edhe para zgjedhjeve këtë herë. Koalicioni paraprak i opozitës së vërtetë të deridjeshme të bëhet qeveri e mirë e së nesërmes. Asisoj do t’i kemi së paku 70 deputetë.
Një partner i vogël pas zgjedhjeve do të ishte më shumë se i mjaftueshëm për shumicën absolute të 2/3 dhe gjithsesi i panevojshëm për shumicën e thjeshtë qeveritare.
Pra, mund të fitojmë edhe pa betejë. Mbase më mirë ashtu, sepse betejat e vërteta e të mëdha do t’i kemi pikërisht pas fitores. Sepse menjëherë duhet të ndryshojnë lajmet e mbrëmjes me qeverisjen tonë të re. Jo më skandale qeveritare por luftim i krimit dhe korrupsionit. Jo më emigrim porsi ekzod por punësim pa diskriminim. E kështu me radhë…
/Epoka e re/