Kurti, opozitës: Nuk është fer ta zbatojmë ‘Zajednicën’, të jemi sa më unikë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia e ka shkelë pikën 14 të “marrëveshjes për Zajednicën”.
“Nuk është fer që ne ta marrim si obligim thjesht të njëanshëm çfarëdo zbatimi, kur pala tjetër e shkeli”, ka thënë Kurti.
Në këtë kontekst, Kurti i ka bërë thirrje opozitës për unifikim.
“Nëse ata flasin për komunat me shumicë serbe në Kosovë, ne duhet më flasim edhe për komunitetet joserbe në Serbi”, ka thënë Kurti, duke e përmendur edhe Luginën e Preshevës.
“Edhe në takime me ndërkombëtarë, edhe në çfarëdo konferencash ku marrim pjesë, të jemi sa më unikë në theksimin e reciprocitetit, se pakica kombëtare nuk ka veç në Kosovë”, ka thënë Kurti, duke ia dhënë edhe një këshillë opozitës.
“Sa herë që thirren në marrëveshjen e parë të vitit 2013, ju lutem përmendeni që e ka shkelë presidenti i Serbisë”, ka thënë Kurti.
Më tutje, Kurti ka thënë se propozimi evropian, i njohur si plani franko-gjerman, të cilin ai e ka pranuar, nuk i referohet veçanërisht asociacionit.
Por, ai ka thënë se pranon se një nen i propozimit evropian, flet për marrëveshjet e mëhershme të arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.
“Plani kryesor nuk ka asnjë referencë të një asociacioni, megjithëse i referohet marrëveshjeve të Brukselit, në tërësinë e tyre”, ka thënë Kurti, duke shtuar e konsideron themelimin e asociacionit nëse pranohen gjashtë kushtet e tij.
“Tash hapi kryesor, e ku do të lindin pyetjet më serioze në ndërlidhje me asociacionin, do të jetë në procesin e negocimit të planit të zbatimit. Aty qëndrimi im është: Asociacioni mund të konsiderohet, nëse plotësohet 6-pikëshi, apo gjashtë kushtet, parimet që i kam paraqitur këtu para jush, një javë më parë”, ka thënë Kurti.