Kurti: Pa arsim cilësor nuk ka zhvillim ekonomik dhe mirëqenie
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosej, Albin Kurti, dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, kanë vizituar shkollën “Loyola Gimnasium” në Prizren, me ç’rast nga drejtori i shkollës, Axel Bodefeld, janë njoftuar për procesin mësimor në këtë shkollë, e cila ka rreth 1 100 nxënës.
Kurti ka përgëzuar personelin e shkollës për punën e deritashme, edukimin cilësor dhe suksesin e arritur, duke vlerësuar se në këtë shkollë po arsimohen nxënësit, të cilëve po u jepet edhe dije edhe edukim.
Ai ka theksuar se pa arsim cilësor nuk ka as zhvillim ekonomik dhe as mirëqenie shoqërore.
Në vazhdim të vizitës në Prizren, Kurti dhe Haskuka kanë vizituar edhe Shoqatën Humanitare “Jetimët e Ballkanit”, ku nga themeluesi i saj Halil Kastrati janë njoftuar se kjo shoqatë deri më tash i ka strehuar 200 familje, ndërkaq në gjellëtoren e saj rregullisht ushqehen 309 persona.
Albin Kurti e ka inkurajuar Kastratin të vazhdojë me punën e bamirësisë që po bën dhe i ka ofruar bashkëpunim të vazhdueshëm, ngjashëm si marrëveshja me Komunën e Prizrenit për ndërtimin e 28 shtëpive, çelësat e të cilave do të jepen më 28 nëntor.
/Epoka e re/