Kurti: Pabarazitë, padrejtësitë e paragjykimet duhet t’i luftojmë bashkë

20 tetor 2021 | 13:09

“Ne nuk kemi jetë grash e vajzash për të humbur. Pabarazitë, padrejtësitë e paragjykimet duhet t’i luftojmë bashkë, prandaj na nevojitet angazhim maksimal, bashkim i forcave të organeve shtetërore, dhe prioritizim i rasteve të dhunës në familje, ashtu që të kemi rezultat të suksesshëm”, ka deklaruar kryeministri Albin Kurti në takimin konsultativ me temën “Përgjigjet institucionale ndaj dhunës kundër grave në periudhën (post) Covid-19”.

Ai ka thënë se mungesa në drejtësi dhe barazi, i nxit normat sfiduese dominante e patriarkale dhe padrejtësia shtesë nga mosveprimi i shtetit në rolin e tij si mbrojtës, e bën më të ashpër e të dukshme këtë.

“Kjo ngulfatje po na dërgon deri te mohimi i së drejtës për jetë të grave dhe vajzave tona në Kosovë. Përbrendësimi i kësaj situate kërkon jo heshtje, por veprim, jo fshehje të së vërtetës, por ndërhyrje në thelbin dhe rrënjën e gjërave”, ka thënë kryeministri

Kurti ka falënderuar të gjithë që ofrojnë mbrojtje dhe mbështetje për gratë dhe vajzat, kudo dhe kurdo që ato kanë nevojë për ndihmë.

“Jeta e dinjitetshme dhe e drejta për ta gëzuar atë, janë të drejta të garantuar me Kushtetutë dhe ligj, dhe asnjëri nuk mund ta mohojë këtë gjë. Çdo tentativë e mohimit të saj, është jo veç se e ndaluar por edhe e dënueshme”, është shprehur ai, duke theksuar se detyra e shoqërisë e veçanërisht Qeverisë është që të garantojnë një ambient të sigurt e të jetueshëm, pa drojë e pa frikë.

Organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, në takimin konsultativ u bisedua për koordinimin ndër-sektorialë në luftimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave në Kosovë, gjatë dhe pas pandemisë Covid-19.

Në këtë takimin konsultativ të nivelit të lartë, morën pjesë edhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, zëvendësministrja e Drejtësisë, njëherit Koordinatore Nacionale kundër dhunës në familje Nita Shala, kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit Edi Gusia, dhe përfaqësues të institucioneve, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një modele “Instagram”-i ka plagosur me thikë të dashurin e…