Kurti para policëve të rinj përmend edhe të rënët në detyrë: Janë dëshmia e atdhedashurisë pa mbarim
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të 448 kadetëve të Policisë së Kosovës, ku prej tyre çdo e pesta grua, të cilët u betuan si pjesëtarë të policisë.
Kurti tha se policia po e shton forcën në radhët e saj, duke qenë kështu, sipas tij, në nivelin më të lartë të detyrës, në zbatim të misionit të saj në mbrojtjen e qytetarëve, sundimin e rendit të ligjit dhe ruajtjen e sovranitetit e integritetit territorial.
“Këtë vit Policia e Kosovës shënon 25-vjetorin e themelimit të saj, sikurse vendi ynë që shënon 25-vjetorin e çlirimit. Një çerek shekulli liri, një çerek shekulli shërbim me përkushtim për të gjithë dhe pa dallim. Ajo ka promovuar vlerat e mira të shoqërisë sonë dhe i ka thyer barrierat e padrejta që përkojnë me detyrën dhe shërbimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”.
“Jam shumë i lumtur që edhe në këtë gjeneratë, nga 448 kadetët që diplomojnë sot, çdo e pesta është grua dhe nga sot e tutje ato do të marrin titullin e zyrtareve policore. Sikurse në çdo gjeneratë tjetër, edhe sot diplomojnë kadetë nga radhët e komuniteteve që jetojnë në Kosovë, ndërsa është hapur konkursi i veçantë po ashtu për komunitete, që të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës”, tha Kurti, transmeton Klankosova.tv.
Kreu i qeverisë përmendi edhe policët e rëndë në krye të detyrës, për të cilët tha se janë dëshmia e shërbimit ndaj vendit dhe qytetarëve, përkushtimit në shërbim dhe atdhedashurisë pa mbarim.
“Ata dhanë jetën në patrullime të rregullta, në ndërhyrje ndaj dhunës në familje, në operacione kundër bandave dhe krimit të organizuar, dhe në mbrojtjen e rendit publik e të sovranitetit shtetëror. Ata janë udhërrëfyesi më i qartë për t’u ndjekur nga ju sot që diplomoni, nga ata që janë në shërbim e ata që do të forcojnë radhët e Policisë në vijim”, tha Kurti.