‘Kurti, para se të shkojë në Greqi, është dashur të raportojë në Kuvend për ultimatumin e pesëshes’

24 tetor 2023 | 14:45

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të duhej të raportonte në Kuvendin e Kosovës për ultimatumin që ka marrë nga pesë emisarët të shtunën para se të shkojë në Greqi për të ligjëruar për probleme globale.

“Kryeministri do të duhej të raportonte në Kuvend për ultimatumin që ka marrë nga pesëshja që përfaqësojnë aleatët strategjik të Kosovës, para se të ligjërojë nga Greqia për trazirat në Evropë e problemet në të katër anët e botës. Shumë popullist në mitingje zgjedhore e njeri i prapaskenës në veprime, kryeministri ka përbrendësuar një qasje mosbesuese kundruall opozitës, medias e miqve të Kosovës dhe çka është më e frikshmja, ai ka hyrë në ujëra të turbullta me politika konfliktuoze”, ka shkruar ajo në “Facebook”.

Halimi ka thënë se Kuvendi në anën tjetër, jo vetëm që nuk e kryen detyrën e tij, por shpesh abuzon me të drejtën e deputetëve të shumicës që lirshëm të deklarohen.

“Tempulli i demokracisë nuk është zgjatim i ekzekutivit; i pari e mbikëqyr dhe kontrollon këtë të dytin. Ky deformim, kjo stërkeqje e konstitucionalizmit shtetëror, është rrezik shtesë për Republikën tonë!”, ka shkruar Halimi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zllatan Ellek është zgjedhur njëzëri kryetar i ri i Listës…