Kurti para studentëve nga Vjena: Prioritet i qeverisë së re, forcimin i shtetit dhe zvogëlimi i pushtetit
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbajtur një prezantim para 120 studentëve ndërkombëtarë nga Universiteti i Vjenës dhe ai i Venedikut, të cilët ishin të shoqëruar nga profesoresha Marijana Gradits.
Para studentëve, Kurti ka folur për situatën aktuale politike në vend, duke sqaruar rëndësinë e zgjedhjeve të 6 tetorit, arsyet e vonesës për formimin e institucioneve të reja dhe përpjekjet që po bëhen për formimin e tyre.
Ai ka paraqitur para studentëve programin zhvillimor te Lëvizjes Vetëvendosje që në qendër ka krijimin e vendeve të reja të punës dhe shtetndërtimin demokratik ku ka sundim të ligjit.
“Prioritet i qeverisë së re se do të jetë forcimin i shtetit dhe zvogëlimi i pushtetit”, ka thënë Kueti në fjalën e tij.
Pas prezantimit të shkurtër, studentët kanë parashtruar pyetjet që zgjeruan diskutimin mbi pikat programore të Lëvizjes Vetëvendosje që lidhen me ekonominë dhe investimet, drejtësinë dhe procesin e vetingut si dhe edukimin dhe sistemin dual të arsimit.
Studentët mes tjerash janë interesuar edhe për qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje për çështje të caktuara ndër vite, për hapat konkret të kësaj lëvizje si udhëheqëse e qeverisë së ardhshme, si dhe për marrëdhëniet dhe politikat që bashkojnë komunitetet e ndryshme në Kosovë.
Studentët kanë falënderuar kryetarin Kurti për prezantimin e bërë para tyre dhe përgjigjet në pyetjet dhe çështjet e ngritura nga ta. Edhe kryetari Kurti ka falënderuar ata për ftesën e tyre për pjesëmarrje në këtë diskutim dhe për interesimin e treguar.
/Epoka e re/