Kurti paraqet katër pika që marrëveshja bazike Kosovë – Serbi të ketë sukses
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas dakordimit që është arritur për shtensionimin e situatës në veri të vendit në takimin në mes të kryenegociatorit Besnik Bislimi dhe të dërguarit special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Kurti ka thënë se pika e katërt parasheh një takim në mes të Bislimit dhe Petkoviqit për finalizimin e planit të sekuencimit të marrëveshjes bazike dhe aneksit të Ohrit, teksa ka treguar edhe planin katërpikësh të tij për sukes të zbatimit të marrëveshjes.
“Për suksesin e zbatimit të marrëveshjes bazike, së pari të dy palët duhet ta pranojnë publikisht që marrëveshja është ligjërisht e obligueshme, gjë që s’ka ndodhur nga pala serbe”.
“Së dyti, që marrëveshja duhet të zbatohet në plotni, gjë që me gjasë ende nuk është e qartë për njërën nga palët”, ka thënë Kurti.
Më tutje, Kurti ka thënë se kushti i tretë për suksesin e zbatimit të marrëveshjes bazike është “që zbatimi i neneve të marrëveshjes nuk mund të kushtëzohet”.
“Dhe së katërti, që të dyja palët duhet të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta, gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga BE-ja”, ka thënë Kurti, duke shtuar se dakordimi që ka ndodhur në Bratisllavë do të ndihmojë në vendosjen e barazisë midis palëve, që sipas tij, ndihmon zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj.