Kurti: Pas 7 vitesh po ia rikthejmë ‘Trepçës’ atë që padrejtësisht i është privuar

02 nëntor 2021 | 11:21

Sot është rihapur terminali doganor i “Trepçës” në Mitrovicë.

Kryeministri Albin Kurti, i cili ka marrë pjesë në këtë ceremoni ka thënë që terminali është rikthyer aty ku e ka vendin, duke theksuar se kjo është një ditë e rëndësishme për të gjithë.

“Është një e arritur që na ndihmon të gjithëve edhe shtetin e Kosovën e ‘Trepçën’ edhe doganat, por në veçanti ndihmon të bërit biznes. Për bizneset një kosto e panevojshme hiqet dhe në këtë mënyrë ato do të mund të funksionojnë më lirë e më mirë edhe për të mirën e tyre, por edhe të qytetarëve të vendit. Nga viti 2003 deri në 2014, terminali doganor ka qenë në hapësirën e ‘Trepçës’”, ka thënë Kurti.

Më tutje, Kurti ka thënë se pas 7 vitesh, “Trepçës” po i rikthehet ajo që padrejtësisht i është privuar.

“Padrejtësisht e çuditërisht kjo hapësirë i është privuar ‘Trepçës’ për terminal doganor dhe i është dhënë një privati jashtë zonës së ‘Trepçës’. Me këtë rast çmimi është shtrenjtuar në 40 euro për maune. Në këtë mënyrë kanë humbur bizneset, ka humbur ‘Trepça’ dhe ka fituar një privat”.

“7 vjet më vonë ne po e bëjmë këtë hapje të terminalit doganor në hapësirën e Trepçës dhe po e rikthejmë në ‘Trepçë’ atë që gjithmonë i ka takuar dhe po e korrigjojmë një dëm të bërë para 7 vitesh. Asokohe, 24 punëtorë kanë punuar në terminalin doganor dhe ata automatikisht patën ngelur pa punë atëherë kur e patën nxjerrë jashtë kësaj hapësire terminalin doganor”, është shprehur kryeministri Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fadil Nura ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit të…