Kurti pas dënimit të Vukotiqit: Nuk mund të ketë amnisti për krimet e luftës

05 korrik 2021 | 20:48

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas dënimit me dhjetë vjet heqje lirie të policit serb Zoran Vukotiq për krime lufte në Kosovë, duke thënë se nuk mund të ketë amnisti për krime të tilla të kryera nga okupatori serb.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se dhuna seksuale gjatë viteve 1998 – 99 është përdorur si mjet lufte në vazhdimësi në Kosovë, dhe se mijëra gra e burra, vajza e djem kanë qenë viktima të këtij krimi, ndërkaq dy dekada pas luftës, as edhe një person nuk është dënuar për një krim të tillë.

“Sot, pas 23 vjetësh pandëshkueshmëri për krimin e dhunës seksuale, për herë të parë dënohet dikush. Zoran Vukotiqi është dënuar me 10 vjet burgim për rastin e ushtrimit të dhunës seksuale ndaj një gruaje shqiptare në Vushtrri. Drejtësia është e domosdoshme, edhe në momente si ky kur vjen shumë vonë. Viktimat e dhunës seksuale kanë nevojë për drejtësi, por edhe për përkrahjen tonë shoqërore për të luftuar stigmën që i përcjellë”, ka shkruar Kurti.

“Krimet e luftës nuk parashkruhen, dhe nuk mund të kenë amnisti për këtë krim të kryer gjatë luftës në Kosovë, këtë armë lufte të përdorur nga okupatori”, ka shtuar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndër vendimet e para të kryetarit të ri të PDK-së,…