Kurti pas dështimit të Kosovës në Interpol: Me këta njerëz që na prijnë s’mund të kemi rezultate të tjera
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas dështimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Interpol.
Ai ka thënë se me udhëheqjen aktuale të Kosovës nuk mund të priten rezultate të tjetra.
Pavarësisht kësaj, Kurti ka thënë se përderisa presidenti Hashim Thaçi dhe krye diplomati Behgjet Pacolli ishin vetëm në Dubai, Serbia dhe Rusia e bënë punën e tyre shoviniste, duke penguar anëtarësimin e Kosovës në Interpol.
“Pas dështimit për anëtarësim në UNESCO, Kosova dështoi për t’u anëtarësuar edhe në Interpol. Me këta njerëz të njëjtë që na përfaqësojnë dhe prijnë me shtetin nuk mund të kemi rezultate të tjera. Në këtë dështim kishte gjithçka përveç rastësisë. As nuk dinë dhe as nuk duan të përgatiten. Nuk shkojnë jashtë vendit si zyrtarë të përgjegjshëm të shtetit tonë por si personalitete të show-biz-it ndërkombëtar siç e imagjinojnë veten. Thaçi e Pacolli nuk ishin në Konferencën për Interpol në Dubai. Thjesht, ata ishin vetëm në Dubai. Serbia dhe Rusia e bënë punën e tyre shoviniste ashtu qysh i kemi njohur gjithmonë, por këta dy punën e kujt e bënë?”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/