Kurti pas vizitës në Mitrovicë e Skenderaj: Ibri e Sitnica janë shndërruar në liqe, ka rrezik për epidemi

22 janar 2023 | 16:49

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar sot Skenderajn dhe Mitrovicën pas vërshimeve në këto komuna.

Kurti takoi kryetarët respektiv të komunave, Fadil Nura dhe Bedri Hamza. Nga ata u njoftua për gjendjen në komunat e tyre dhe diskutuan për nevojën e mësimeve të nxjerra në kuptim të reagimit dhe parandalimit të përkeqësimit të situatave të ngjashme.

Në këto takime, kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë për ndihmë përmes të gjithë mekanizmave institucional. Së bashku vizituan vendbanimet e përmbytura. Në Skenderaj, fshatin Llaushë dhe Kuqicë, kurse në Mitrovicë, fshatin Lisicë, lagjen Fidanishtë dhe Liqenin e Mitrovicës.

Kurti e ka përshkruar në “Facebook” situatën e rëndë të krijuar pas vërshimeve në këto dy komuna, ndërsa ka thënë se ka rrezik për epidemi.

“Ibri e Sitnica janë bërë bashkë dhe janë shndërruar në liqe. Ka jo pak kafshë të ngordhura, andaj edhe rrezik për epidemi”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri ka shtuar se si qeveri dhe institucione qendrore, që nga momenti i parë, kanë  qenë në ndihmë të qytetarëve në zonat e prekura nga përmbytjet e ujit.

“Si përmes Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave dhe FSK-së, për të ofruar mbështetje të menjëhershme ashtu edhe përmes kompanive rajonale të ujësjellësit për të siguruar furnizim me ujë të pijes”, thuhet në njoftimin për media nga Zyra e Kryeministrit.

Në Skenderaj, njësitet profesionale të pompimit kanë intervenuar në shtëpitë dhe zonat ku ka pasur përmbytjet. Në koordinim me Ndërmarrjet Publike, janë dërguar cisterna për ujë të pijes.

“Pas kërkesave të pranuar nga Komuna e Skenderajt, me 20 janar, për batanije dhe ushqim, Qendra Operative e Ministrisë së Brendshme ka realizuar kërkesën për 120 batanije dhe ka filluar ofrimin e tri shujtave për 500 persona. FSK ka ndarë pako higjienike për banorët”, thuhet më tej në njoftim.

Në Komunën e Mitrovicës, për shkak të vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e mëdha të shiut, rreth 100 persona janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për t’u akomoduar në hapësira të ndryshme. Për familjet e evakuara, FSK është kujdesur me pako higjienike.

“Në shtëpitë dhe zonat e përmbytura kanë intervenuar ekipet profesionale të pompimit. Në zona të ndryshme të qytetit dhe fshatrave janë siguruar cisterna të ujit të pijes. Cisternë e ujit i është siguruar edhe Spitalit të Mitrovicës. Ndërkohë, nga Njësitë Profesionale të Zjarrfikësve, në disa fshatra është bërë hapja e kanaleve anësore për qarkullim të ujërave dhe rënie të nivelit të ujit.

Angazhimi dhe mbështetja për zonat më të prekura dhe familjet që kanë nevojë po vazhdon edhe sot. Do të vazhdojë edhe nesër. Më e rëndësishmja është që dëmet janë vetëm materiale, dhe kjo është falë punës, përfshirjes dhe solidarizimit të të gjithëve me njëri-tjetrin”, thuhet në njoftim.

Kryeministri ka shtuar se ditëve në vijim, ashtu së bashku, do të punojmë për të sanuar dëmet e shkaktuara.

“Por, përveçse me pasojën, duhet të merremi edhe me shkaktarët. Për shumë vite rresht, shtretërit e lumenjve janë dëmtuar pa e me leje, pyjet janë çpyllëzuar me e pavetëdije, kurse projekte infrastrukturore janë realizuar pa planifikim adekuat. Këto padyshim që kanë përkeqësuar situatën pas reshjeve të shiut”, u shpreh Kurti.

Kurti ishte i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ministri i Administrimit të Pushteti Lokal, Elbert Krasniqi, dy zëvendësministrat e Punëve të Brendshme, Gashani dhe Dobra, si dhe koloneli i FSK-së, Ejup Maqedonci.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Inflacioni do të jetë një nga problematikat kryesore me të…