Kurti pas vizitës në veri: Nuk jemi kundër askujt, t’i lëmë anash paragjykimet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur për vizitën e së martës në veri të vendit, bashkë me ministrat Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi, ka thënë se këto vizita nuk janë kundër askujt.
Kurti gjatë mbledhjes së qeverisë, ka thënë se vizitat e tilla janë të domosdoshme për t’i kuptuar nevojat e këtyre komunave, “pasi të lihet anash çfarëdo paragjykimi”.
“Dje bashkë me ministrat Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi ishim në vizitë fillimisht në komunën e Leposaviqit, e më pas edhe në Mitrovicën e Veriut. Vizitat tona nuk janë kundër askujt. Ato në fakt janë të domosdoshme për të kuptuar nevojat që këto komuna i kanë, pasi ta kemi lënë anash çfarëdo paragjykimi për të cilin qeveria jonë angazhohet që nga dita e parë. Pikërisht për t’i flakur paragjykimet e ndërsjellta dhe për të kuptuar se sa anash janë lënë qytetarët atje, ne po i bëjmë këto vizita, të cilat janë vizita pune. Po bëhen investime që nuk janë bërë në dy dekada, po shtohen shërbime që u kanë munguar qytetarëve”, ka thënë Kurti.
Ndonëse nuk i ka përmendur kritikat e ndërkombëtarëve për mbylljen e komunave paralele, Kurti ka deklaruar se ato kanë funksionuar në hapësira të uzurpuara.
“Në fund të muajit të kaluar, pas raportimeve dhe dëshmive të konfirmuara që po funksionojnë komuna paralele në hapësira të uzurpuara dhe po zhvillojnë veprimtari ilegale, institucionet tona morën veprime për mbylljen e tyre. Kjo na ka mundësuar që pastaj të ofrojmë shërbime të ligjshme. Aty do të funksionalizohen njësia e partnerë-shoferëve, qendra për punë sociale dhe shërbime të mirëqenies sociale, pastaj shërbimi për regjistrimin e automjeteve në kuadër të MPB-së e shërbime të tjera të Ministrisë së Ekonomisë, etj”, ka thënë Kurti.