Kurti pas zgjedhjes kryeministër: Sot fillon rruga jonë e punës së madhe
Menjëherë pas zgjedhjes në krye të qeverisë, Albin Kurti është betuar dhe më pas ka mbajtur një fjalim para deputetëve.
Kurti ka thënë se nga sot fillon një kapitull i ri për Kosovën.
“Me krijimin e qeverisë po jetësojmë edhe vullnetin e qytetarëve që e dhanë në zgjedhjet e 6 tetorit. Sot, nuk ka fituar Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës, sot kanë fituar qytetarët e Kosovës. Unë zotohem se do të angazhohem maksimalisht për të mirën e gjithë qytetarëve. Sot fillon rruga jonë e punës së madhe dhe të palodhshme. Sot mbaron rruga e vjetër e klientelizmit dhe e pabarazisë. Nga sot ka një lidership te ri që do të kujdeset për shtetin. Sot fillon edhe një kapitull i ri për politiken e jashtme”, ka thënë Kurti pas zgjedhjes së tij kryeministër.
Qeverinë e udhëhequr nga Kurti e kanë mbështetur 66 deputetë, ndërsa ka pasur 10 abstenime dhe asnjë kundër.
Pak para votimit, partitë politike opozitare PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma kanë lëshuar sallën e Kuvendit.
Ndërkaq dy deputetët e AKR-së kanë votuar për formimin e qeverisë.