Kurti për 25-vjetorin e sulmit në lokalin ‘Panda’: Serbia vazhdon të fshehë të vërtetën për vrasjen e të rinjve serbë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar lidhur me 25-vjetorin e sulimit në lokalin “Panda” në Pejë, duke thënë se Serbia vazhdon të të fshehë të vërtetën për vrasjen e të rinjve serbë edhe pas një çerek shekulli.
Kurti ka thënë se për këtë rast u dënuan shqiptarët të cilët edhe sot i vuajnë pasojat e torturave në burgjet e Serbisë.
Ai ka përmendur edhe deklaratën e Aleksandër Vuçiqit, që kishte thënë se sulmi nuk ishte kryer nga shqiptarët.
“Prindërit e të vrarëve kanë kërkuar që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të dëshmojë lidhur me deklaratat e tij. Ai kishte thënë se “krimi në “Panda” nuk është bërë nga shqiptarët”.
“Shteti i Serbisë vazhdon të fshehë të vërtetën për vrasjen e të rinjëve serb edhe pas një ҫerek shekulli. Sikurse vazhdon të mos pranojë krimet e kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës 1998-99. Kjo heshtje flet për mendësinë e pandryshuar politike të Serbisë karshi Republikës së Kosovës. Dëshmon për lidhjen e ngushtë mes mosnjohjes të së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohjes së pavarësisë sonë”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Postimi i plotë i Kurtit:
25 vjet nga sulmi terrorist i Serbisë në lokalin “Panda” në Pejë
Më 14 dhjetor 1998, autoritetet serbe inskenuan vrasjen e të rinjëve serb në kafiterinë “Panda” në Pejë.
Serbia i vrau gjashtë të rinj serb, të moshave 14, 16, 17, 18 dhe 24 vjeç, në përpjekjen e regjimit të Millosheviqit për të justifikuar spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kosovë.
Pas këtij rasti, më shumë se 150 shqiptarë u arrestuan në Pejë. Më 17 dhjetor 1998, u arrestuan edhe Agron Kollçaku, Behar Bajri, Beqir Loxha, Gazmend Bajrami, Vllaznim Pergjegjaj dhe Xhevdet Bajrami. Më i madhi prej tyre ishe 22 vjeç, ndërsa më i riu 17.
Ata u burgosën në Pejë, ku u torturuan në mënyra ҫnjerëzore. Në qershor 1999, me rreth 400 të burgosur të tjerë, u dërguan në burg në Leskovc të Serbisë.
Në nëntor 1999, gjykata në Serbi i shpalli të gjashtit të pafajshëm. Ata u dënuan me nga një vit burg për shkelje të rendit publik. Një muaj më pas, me ndërmjetësimin e organizatave ndërkombëtare, pesë nga ta u liruan. Behar Bajri u mbajt në burg deri më 6 dhjetor 2000.
Përderisa të rinjtë shqiptarë të burgosur padrejtësisht ende i vuajnë pasojat e torturave brenda burgjeve serbe, në Serbi ende askush nuk është dënuar për këtë rast.
Prindërit e të vrarëve kanë kërkuar që Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të dëshmojë lidhur me deklaratat e tij. Ai kishte thënë se “krimi në “Panda” nuk është bërë nga shqiptarët”.
Shteti i Serbisë vazhdon të fshehë të vërtetën për vrasjen e të rinjëve serb edhe pas një ҫerek shekulli. Sikurse vazhdon të mos pranojë krimet e kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës 1998-99.
Kjo heshtje flet për mendësinë e pandryshuar politike të Serbisë karshi Republikës së Kosovës. Dëshmon për lidhjen e ngushtë mes mosnjohjes të së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohjes së pavarësisë sonë.