Kurti për 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së: Prekazi u përket të gjithë shqiptarëve

05 mars 2025 | 11:21

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen solemne për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, ka thënë se sot na ndajnë 27 mote prej ngjarjes më të lavdishme, e të cilës ia gjejmë përkufizimin më të plotë dhe do t’ia mësojmë përmasën më të saktë nëpër vitet e realizimeve tona si shoqëri e si shtet, si njerëz e si komb.

“Ato tri ditë të marsit i kemi quajtur Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës. Ngjarja që përmblidhet nën fjalën Epope, krejt sikurse emri që i është vënë, na e ka ritmuar historinë tonë bashkëkohore të më shumë se një çerek shekulli. Kjo do të thotë se na e ka përcaktuar ritmin e mendimit dhe veprimit, politik dhe jo vetëm. Emrat Shaban, Adem dhe Hamzë janë kthyer në absolutët tanë. Gratë e familjes Jashari janë bërë simboli i marrëdhënies mes gruas së popullit autokton dhe mëkimit të ndjenjës së atdhedashurisë. Fëmijët e familjes Jashari janë tashmë simboli më i madh i masës historike të flijimit të popullit tonë. Në atë lëndinë të Prekazit, emrat Jashari dhe të tjerët që prehen me ta, janë emrat absolutë të lirisë. E në atë datë kur lindi Ademi i madh, në datën më historike të shqiptarëve, 28 Nëntorin, shpallet publikisht edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se neve na takon neve, si popull e si shoqëri, në qeverisje e zhvillim, ta ruajmë atë ritëm të bërjes së historisë.

“Distanca jonë kohore prej këtyre ditëve shembullore e mbushi kohën e pjekurimit të një brezi. 27 vjeçarët e sotëm kanë lindur në motin e Epopesë”, është shprehur ai.

Adresimi i kryeministrit Kurti në mbledhjen solemne për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së:

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,
Të dashur qytetarë,
Të nderuar punonjës të kryeministrisë dhe të mediave,

Sot na ndajnë 27 mote prej ngjarjes më të lavdishme, e të cilës ia gjejmë përkufizimin më të plotë dhe do t’ia mësojmë përmasën më të saktë nëpër vitet e realizimeve tona si shoqëri e si shtet, si njerëz e si komb. Ato tri ditë të marsit i kemi quajtur Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës. Ngjarja që përmblidhet nën fjalën Epope, krejt sikurse emri që i është vënë, na e ka ritmuar historinë tonë bashkëkohore të më shumë se një çerek shekulli. Kjo do të thotë se na e ka përcaktuar ritmin e mendimit dhe veprimit, politik dhe jo vetëm. Emrat Shaban, Adem dhe Hamzë janë kthyer në absolutët tanë. Gratë e familjes Jashari janë bërë simboli i marrëdhënies mes gruas së popullit autokton dhe mëkimit të ndjenjës së atdhedashurisë. Fëmijët e familjes Jashari janë tashmë simboli më i madh i masës historike të flijimit të popullit tonë. Në atë lëndinë të Prekazit, emrat Jashari dhe të tjerët që prehen me ta, janë emrat absolutë të lirisë. E në atë datë kur lindi Ademi i madh, në datën më historike të shqiptarëve, 28 Nëntorin, shpallet publikisht edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Na takon neve, si popull e si shoqëri, në qeverisje e zhvillim, ta ruajmë atë ritëm të bërjes së historisë. Distanca jonë kohore prej këtyre ditëve shembullore e mbushi kohën e pjekurimit të një brezi. 27 vjeçarët e sotëm kanë lindur në motin e Epopesë.

Çfarë themi kur themi se epopeja na ka përcaktuar një ritëm? Ç’është ky ritëm? E gjejmë në fjalët e bacës Rifat në 25-vjetorin e Epopesë, përpara trupës së ushtrisë sonë, kur tha “Mbi luftën e gjakun të gjejmë një gjuhë të përbashkët”. Në Kuvend, po baca Rifat e artikuloi edhe më tej, citoj sërish: “të jemi të një gjuhe… për t’u nda një herë e mirë prej Serbije e pastaj kemi kohë për t’u marrë me të gjitha të tjerat”. Pra, baca Rifat na rikujtoi edhe një herë ritmin e lirisë së plotë. Besoj se në mandatin tonë qeverisës, të nderuar kolegë, përcaktimin më të lartë e kemi patur në zhvillimin e kësaj linje, në mbajtjen e këtij ritmi. Shtet si sovranitet, për liri të popullit, në territor me integritet.

Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka vetëm një adresë: lirinë nga pushtuesi serb; dhe, vetëm një horizont: bashkimin tonë. E meqë ka adresë dhe horizont, pra shenjë dhe vizion, ngjarja e madhërishme e marsit 1998, është ngjarja e përkryer. Një ngjarje e përkryer që nuk na lejon asnjë hezitim asnjërit. Është ajo ngjarje që na përcakton plotësisht fushën e veprimit. Nuk mund të jemi njësh me veten nëse nuk i qëndrojmë këtij përcaktimi. Që nga ajo ditë, çdo politikë e jona është në parim e përcaktuar. E pra, emri epope për një ngjarje të tillë, nuk është vetëm emri për ato tri ditë, por për tërë kohën liridashëse e shtetformuese që i qëndron besnike kumtit çlirimtar të shpallur me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998.

Çdo komb i ka vendet e tij të shenjtë që bëhen data historike. Nëse një popull dhe qeveria e tij ndjekin udhën e përcaktuar sipas këtyre vendeve të shenjta, atëherë historia e tyre shtetërore është në përputhje e koherencë me historinë kombëtare.

Prekazi si monument i vullnetit për liri, përbën një nga realizimet tona më të rëndësishme. Ky monument prezanton gur themelin e çlirimit të vendit tonë dhe shembullin botëror të flijimit për liri. Me përgjegjësinë e plotë, kemi punuar që projekti i ruajtjes dhe prezantimit të kujtesës së familjes Jashari dhe Prekazit historik në Kompleksin Memorial, të realizohet me profesionalizëm, e nivel të lartë shkencor e artistik. Projekti i Master Planit për Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz, po hartohet tashmë nga një ekip ekspertësh ndërkombëtar me përvojë shumë dekadëshe dhe ne si Qeveri nuk do të kursejmë asgjë, për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, i cili kujtimin për veprën heroike të familjes Jashari, do ta shndërrojë në përjetësi.

Të nderuar kolegë,

Çdo kompromis me epopenë dhe përcaktimin e saj, është kompromis dhe pazar me qenien, me lirinë tonë i cili sjell më pak liri, pra sjell robëri. Çlirimi i një populli dhe sovranizimi shtetëror i tij përbëjnë lirinë që fitohet dhe lirinë që mbrohet. Sovraniteti është një emancipim. Çdo lëshim në kufi apo në veri, ishte vetëm një korruptim i sovranitetit në të kaluarën. Ne i kemi shpallur zotimet tona, si për mandatin e shkuar, ashtu edhe për atë të ardhshëm, për luftë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Organizimi më i madh i krimit burimin e ka në vendet ku është bërë kompromis me lirinë e përcaktimit të një shteti, me sovranitetin e tij. Andaj sot jam krenar si Kryeministër i Republikës së Kosovës të deklaroj se ne jemi në udhën e përcaktuar nga Epopeja, dhe se kemi ecur për katër vjet qeverisje në ritmin e saj dhe në perspektivën e hapur prej saj.

Duhet ta them edhe një pikë tjetër në lidhje me kuptimin e Epopesë. Ngjarja është aq e madhërishme sa fuqia e saj i dha hov një lufte të ndritur e me Aleancën më të madhe në historinë njerëzore, NATO-n, në kohën më demokratike të kësaj Aleance, një lirie të pritur prej një shekulli prej popullit të vuajtjeve dhe persekutimit gjer në gjenocid, një besimi se ne mund të orientojmë fatin e shqiptarëve në rajon dhe në botë.

Kjo ngjarje solli në aktivizmin më të lartë e më të plotë shqiptar, përfshirë edhe Republikën e Shqipërisë dhe qindra mijëra shqiptarë që jetojnë jashtë saj e në Ballkan, por edhe jashtë Ballkanit e gjithandej nëpër botë. Sa më shumë që do të zhvillohemi, aq më shumë do ta kuptojmë Epopenë e marsit 1998. Emrat e lirisë janë të pafundmë për shkak të aktit të tyre që është i pafundmë. Prandaj edhe ne i konsiderojmë absolute.

Shpallja e karakterit publik të shqiptarëve në tri ditë të marsit është aq e madhe, sa ajo nuk lejon më, dhe në asnjë moment, kompromise me historinë e ardhshme të shqiptarëve. Së pari, asnjë politikë e asnjë qeverisje nuk mund të amnistojnë historinë kriminale të ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë në Kosovë e mbi shqiptarët në përgjithësi. Së dyti, asnjë politikë e asnjë qeverisje nuk mund të bëjnë kompromis me historinë e tyre të ardhshme. Sepse ne, si mendim e si veprim, jemi të rrethuar në veprimtarinë tonë, nga njëra anë prej ritmit që iu përcaktua historisë sonë politike në datat e 5, 6 dhe 7 marsit 1998, dhe në anën tjetër prej idealit të projektuar falë flijimit të madh të Prekazit për të ardhmen tonë. Ajo shënon maksimizimin e fuqive tona sepse e vendos tërë veprimin afatgjatë nën historinë që mbart epopeja sipas përkufizimit të kësaj fjale: poemë e gjatë që i vë në një rrjedhë ngjarjet dhe figurat më të shquara të një kombi. Pra, emri epope ka qenë i saktë, sepse është emri që qëndresa e Jasharve e ka vendosur mbi vetveten e neve na e ka lënë amanet.

Vetëm kësisoj ngjarja e madhe mbetet një çështje që i hapet kuptimit tonë politik të pakufishëm në ardhmëri. Çdo ngushtim i politikës sonë në treva e krahina është përpjekje për korruptim të kësaj Epopeje. Çdo përvetësim i Epopesë dhe i luftës është korruptim i idealit të Epopesë. Epopeja duhet të jetë momenti, në kuptimin e vërtetë të fuqisë së një vektori për të përcaktuar historinë e mëtejshme, pra momenti i sublimimit të sakrificës dhe vuajtjes në krenari të një populli të tërë nga të gjitha trevat. Epopeja e marsit është aq e lartë sa, përmes trupave që sot prehen në Prekaz, ajo përcaktoi një popull të tërë. As edhe Kosova nuk e ka të drejtën që si e vetme ta përvetësojë heroizmin e Prekazit. Prekazi u përket të gjithë shqiptarëve që mbajnë këtë emër por edhe të gjithë popujve liridashës, të mbarë njerëzimit e përgjatë historisë.

Ju faleminderit!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reperi G Bani është larguar përfundimisht nga gara të martën.…