Kurti për 8 mars: Vazhdojmë betejën për barazi gjinore
Kryeministri Albin Kurti sot ka hapur mbledhjen e Qeverisë me urim për Ditën e Grave, duke dhënë zotime se do të luftojë për barazi më të madhe gjinore.
“Ditë e shënuar, javë historike. Në Ditën Ndërkombëtare të Grave, të të gjitha grave, nderojmë sukseset që ato i kanë arritur historikisht, sot e çdo ditë nderojmë kontributin e grave që nuk janë më dhe luftojmë bashkë me gratë dhe vajzat për më shumë të drejta dhe barazi. Qeverisja jonë mbetet e përkushtuar ndaj politikave demokratike e sociale që e lehtësojnë barrën e padrejtësive që ato mbajnë mbi supe. Vazhdojmë përpjekjet dhe betejën për barazi shoqërore, për barazi gjinore. Prej shtëpisë deri në institucione”.
Kurti përmendi edhe veprën e grave në luftën çlirimtare të vendit, ndërsa përmendi edhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit. Këtu ai lavdëroi guximin e Vasfije Krasniqit që doli publikisht për të rrëfyer historinë e saj dhe u bë zë avokues për të gjitha gratë e përdhunuara në luftë.
“Sot nderojmë veprën e grave ne luftën çlirimtare dhe përgjatë gjithë historisë tonë. Nuk harrojmë dhimbjen e madhe që nuk kalon dhe që shteti e ka obligim që ta shërojë. Po e vazhdojmë procesin e aplikimit për njohjen e statusit të të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të luftës seksuale gjatë luftës. Një prej parakushteve për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në vend. Nderojmë rolin e të mbijetuarave që kanë folur publikisht për rastet e tyre, e veçanërisht Vasfije Kransiqi-Goodman, që vazhdon të jetë avokuese e zëshme në vend dhe ndërkombëtarisht”.
Po ashtu, Kurti foli edhe për Ditën e Mësuesit që u shënua dje, si dhe Epopenë e UÇK-së.