Kurti për abetaren e përbashkët me Shqipërinë: Populli e di që bashkimi është i domosdoshëm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë të enjten në përurimin e abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri.
Me këtë rast, ai ka thënë se abetarja e përbashkët është një vazhdim i punës së të parëve për gjuhën shqipe.
Më tutje, Kurti ka theksuar se fati i shkollës shqiptare ka qenë i lidhur ngushtë me fatin e kombit, sipas tij, raporti në mes të gjuhës dhe kombit është historik.
“Nëpërmjet gjuhës është mësuar në mënyrë të drejt dashuria për kombin, sot në gjirin e barazisë dhe lirisë, kombin tonë e përbashkon edhe kjo abetare. Një brez i ri shqiptar po fillon rrugën e dijes me abetaren e përbashkët unike, kështu po materializohet frymëzimi i trashëguar ndër breza që na ka mbajtur të lidhur gjithmonë”.
“Në ditë si këto duhet kujtuar puna dhe sakrifica e të gjithë atdhetarëve, intelektualëve, albanologëve, mësimdhënësve, studiuesve,kontribuuesve të parezervë, burrave dhe grave që e ruajtën gjuhën shqipe në kohët më të vështira e ruajtën pasurinë tonë të përbashkët. Jam i lumtur që andaj sot e kemi në duar këtë abetare për të cilën u zotuam me marrëveshjen e përbashkët nga mbledhja e dy qeverive tona”,ka thënë Kurti, duke përmendur edhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
“Populli ynë e di se bashkimi është i domosdoshëm. Jemi ne që duhet ta jetësojmë idenë e bashkimit me aktivitete si këto”, ka thënë Kurti.