Kurti për bashkimin me Shqipërinë: Më shumë ka moskuptim sesa keqkuptim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur sot në Elbasan për çështjen e bashkimit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Ai ka thënë se kjo çështje është më shumë moskuptim sesa keqkuptim. Kjo pasi sipas tij, nuk munden që të vendosen mbi procese dhe të përcaktojnë data e mënyra.
“Mua më duket që ka më shumë një moskuptim sesa keqkuptim, tek çështja e bashkimit të shqiptarëve. Ai nuk është një gjësend të cilin e zgjedhim apo e përzgjedhim. Pra ai është një intencë kolektive që na zgjedh ose përzgjedh neve. Prandaj nuk mund të vendosemi ne mbi procese të tilla historike e të përcaktojmë data e mënyra”, ka thënë Kurti.
Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në konferencë është pyetur se si do të votonte nëse do të bëhej një referendum për bashkimin kombëtar.
Rama e ka quajtur provokim pyetjen e gazetarit nga Kosova, por është përgjigjur se nëse do të bëhej një referendum për bashkimin kombëtar, ai do të votonte hapur “po”.