Kurti për ‘Bloomberg’: Për shkak se ne jemi të suksesshëm, Beogradi është më nervoz dhe rrjedhimisht më agresiv
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kritikat ndërkombëtare për trajtimin nga qeveria e tij në raport me pakicën serbe në Kosovë kanë qenë të tepërta.
Dhe ky koment, vlerëson një shkrim i “Bloomberg”-ut se ka të ngjarë të shqetësojë mbështetësit perëndimorë që kanë bërë thirrje për përmbajtje.
Siç shkruan mediumi në fjalë, lëvizjet e Prishtinës për të mbyllur institucionet e mbështetura nga Serbia dhe për të ndaluar përdorimin e dinarit serb kanë nxitur paralajmërime nga ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE) se veprimet mund të përbëjnë një kërcënim për paqen e brishtë në Ballkan.
“Ata janë shumë të shqetësuar”, citohet të ketë thënë Kurti për “Bloomberg” në një intervistë gjatë vizitës së tij në Varshavë.
“Sa herë që ndërmarrim veprime, ka zëra alarmues për përshkallëzimin e mundshëm, por ja ku jemi — Kosova është më mirë se kurrë më parë”, ka thënë Kurti.
“Bloomberg”-u ka vënë në pah se në Kosovën veriore jeton pjesa më e madhe e komunitetit serb në Kosovë. Veprimet, që përfshijnë mbylljen e degëve të bankave serbe në këtë pjesë, shkruan ky medium, pason një shkëmbim zjarri vitin e kaluar pranë një manastiri ortodoks në veri të Kosovës që la të vdekur një oficer policie të Kosovës dhe tre militantë serbë.
Por, Kurti ka mbrojtur veprimet e tij si të nevojshme për të rivendosur ligjin dhe rendin në veriun e ndarë prej kohësh.
Ai gjithashtu ka këmbëngulur se hapat janë të nevojshëm drejt vendosjes së kontrollit mbi zonat me shumicë serbe dhe integrimit të plotë të tyre në sistemet ligjore dhe financiare të Kosovës. “Përshtypja ime është se pikërisht për shkak se ne jemi të suksesshëm, Beogradi është më nervoz dhe rrjedhimisht më agresiv”, ka thënë ai.
“Bloomberg”-u ka përkujtuar se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka akuzuar vazhdimisht Kurtin se po i bën presion komunitetit serb për t’u larguar nga Kosova.
Ai ka kërkuar gjithashtu zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga BE sipas së cilës komunitetit serb i lejohet njëfarë “autonomie”.
Veç këtyre, muajin e kaluar, Vuçiqi i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të mbajë zgjedhje lokale në komunat veriore.
Por ideja “nuk është e mundur të realizohet”, ka thënë Kurti, duke shtuar se zgjedhjet do të bahen vitin e ardhshëm.
“Votimi në komunat veriore do të bëhet vetëm gjatë zgjedhjeve në vjeshtën e vitit të ardhshëm. Vuçiq dështoi, dhe tani ai dëshiron që ne të paguajmë për dështimin e tij”, ka thënë më tej Kurti, duke shtuar se koha kur presidenti serb ka ndikim në punët e brendshme të Kosovës “ka kaluar prej kohësh”.
Në fund të shkrimit, “Bloomberg”-u ka theksuar se sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga BE në 2013, serbët ranë dakord të merrnin pjesë në qeveritë lokale dhe qendrore në Kosovë, por u larguan në vitin 2021 për shkak të pretendimeve për diskriminim dhe që atëherë kanë bojkotuar dy votime.
Po sipas mediumit, arrestimet e serbëve vendas nga policia e Kosovës kanë rritur gjithashtu tensionet, ndërsa disa mijëra paqeruajtës të udhëhequr nga NATO mbeten në zonë.
Ndërkohë, ka thënë ky medium, për t’u kthyer në dialog, Kurti ka kërkuar nga Serbia dorëzimin e Milan Radoiçiqit, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur të vitit të kaluar pranë manastirit.
Ai i ka kërkuar gjithashtu BE-së të ushtrojë më shumë presion mbi Beogradin për të ndihmuar në “zbutjen e tensioneve” me një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve. “Është dashur të ndodh dje. Unë besoj se është e mundur”, ka thënë Kurti.