Kurti për buxhetin 2024: Do të jetë i mbrojtjes dhe sigurisë, ndamë para më shumë se kurrë për Luginën
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se buxheti i Kosovës për vitin 2024 do të jetë buxhet i mbrojtjes dhe sigurisë.
Për këtë fushë, Kurti ka thënë se nga 3.3 miliardë euro janë ndarë 370 milionë euro, ku Ministrisë së Punëve të Brendshme i takojnë 216 milionë euro, ndërsa Ministrisë së Mbrojtjes 153 milionë.
“Ushtrisë sonë, të cilës ia kemi rritur buxhetin më shumë se dyfish prej që kemi ardhur dhe numrin e ushtarëve për më shumë se 2/3 do t’ia shtojmë 600 ushtarë më shumë në vitin 2024. Kurse, policia do t’i ketë edhe 500 rekrutë të tjerë dhe 21.7 milionë euro për investime kapitale, ose 9 milionë euro më shumë sesa këtë vit”, ka thënë Kurti, duke prezantuar buxhetin e shtetit për vitin 2024.
Kurti ka thënë se buxheti i vitit tjetër do të jetë prioritet për sa i përket nevojave të qytetarëve për ekonomi të fortë, me më shumë vende pune, për shëndetësi gjithëpërfshirëse, arsim të zhvilluar me cilësi më të lartë e sundim të ligjit me drejtësi të reformuar.
“Përgjatë gati 32 muajve të mandatit tonë, ekonomisë iu shtuan 60 mijë vende, ku gjysma e të punësuarve janë të rinj e të reja nën moshën 25-vjeçare. Vetëm përmes platformës ‘Superpuna’, për 8 muaj janë punësuar mbi 7 mijë e 700 të rinj, që i bie përafërsisht mbi 1 mijë të punësuar për muaj”.
“Për të vazhduar me nxitjen e punësimit në sektorin privat, në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi ndarë 29 milionë euro për masat e punësimit. Ndërkaq sa i përket sektorit publik, siç kemi thënë edhe në shkurt, koeficienti i pagave për vitin 2024 do të jetë 110 euro”.
“Do të vazhdojmë të investojmë në renovimin e spitaleve, përmirësimin e shërbimeve dhe blerjen e pajisjeve të teknologjisë së fundit, ashtu që më të dashurve tanë në momentet më të vështira t’iu mundësohet kujdesi i duhur. Për vitin 2024, ShSKUK-së i është shtuar buxheti për 25 për qind, kurse për shëndetësinë si sektor në tërësi kemi ndarë mbi 340 milionë euro, përfshirë grantin për komunat”, ka thënë Kurti.
Më tutje, ka thënë se për ndërtimin e çerdheve, zbatimin e reformave dhe mbështetjen e të rejave edhe të rinjve me bursa, bashkë me grantin që u ndahet komunave, sektori i arsimit do të mbështetet me 370 milionë euro.
“Ministrisë së Drejtësisë ia kemi ndarë 31 për qind më shumë buxhet, ashtu që të zbatohen deri në fund reformat e nisura në drejtësi, sepse edhe zotimi ynë për këtë mandat qeverisës ishte punë dhe drejtësi”.
“95 milionë euro i kemi paraparë për nënat lehona dhe fëmijët nën 16-vjeç, nga e cila deri më tani kanë përfituar mbi 40 mijë gra, nëna të reja dhe 373 mijë fëmijë”.
“Për vitin tjetër, gjithashtu ndamë 14 milionë euro për banimin social, 11 milionë për blerjen e objekteve të ambasadave të Kosovës nëpër botë dhe 65 milionë euro për bujqësi”, ka thënë Kurti.
Shefi i qeverisë ka thënë se për vitin 2024 do të ketë investime të reja kapitale në infrastrukturë rrugore, hekurudhore, në zona të reja ekonomike, diga e rrjete të ujësjellësit dhe kapacitete të reja energjetike, për të cilat tha se është paraparë buxhet prej 860 milionë euro.
“Vetëm për MKRS-në kemi 58 milionë euro për investime kapitale në sport e infrastrukturë për vitin që po vjen, sepse festën dhe gëzimin për kandidaturën e suksesshme për Lojërat Mesdhetare 2030 duhet ta përcjellim me investime të menjëhershme dhe përgatitje të hershme për një organizim të suksesshëm”.
“E trendi i njëjtë do të vazhdojë edhe në vitet pasuese deri në përmbushjen e planeve investuese deri në vitin 2030, që pritet të kapin vlerën prej 250 milionë euro”.
“Buxheti i komunave në vitin 2021 ishte 547 milionë euro, e sivjet është 654 milionë euro, e në vitin 2024 ai do të jetë gati 200 milionë më shumë sesa në vitin e parë të qeverisjes sonë, ose 742 milionë euro. Prej të cilave 635 milionë euro janë grant për komunat nga qeveria, kurse pjesa tjetër janë të hyra vetanake të komunave. Ky buxhet i qeverisë është edhe buxhet i komunave”, ka thënë Kurti.
Nga buxheti i Kosovës, qeveria ka ndarë 3 milionë euro edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, për të cilat sipas Kurtit, është mbështetja më e lartë ndonjëherë .
“Për më tepër, buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë përsëri buxhet për shqiptarët e Luginës, atij po ia shtojmë edhe 1 milion, krahasuar me vitin aktual, pra nga 2 në 3 milionë euro për vitin 2024. Kjo mbështetje është më e larta ndonjëherë dhe është më shumë sesa të gjitha qeveritë paraprake marrë së bashku”, ka thënë Kurti.