Kurti për çështjen e të pagjeturve: Është me rëndësi të hapen arkivat shtetërore të Serbisë

07 qershor 2021 | 14:53

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të hënën në takim Martin Schuepp, drejtor rajonal për Evropë dhe Azi Qendrore i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC).

Temë qendrore e takimit ishte çështja e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, që është edhe arsyeja kryesore e vizitës së Schueppit në Kosovë dhe në rajon. Sipas njoftimit të qeverisë, Schuepp ka thënë se është shumë e rëndësishme për njerëzit që kanë përjetuar ngjarjet e luftës që t’i ndajnë ato me të tjerët, sepse mund të kuptohen më shumë gjëra rreth asaj që ka ndodhur.

Kryeministri Kurti ka theksuar se çështja e të pagjeturve është një plagë e hapur dhe ende e pashëruar. Siç tha ai, është shumë me rëndësi që të hapen arkivat shtetërore të Serbisë, sepse krimet nuk janë kryer nga individë, por nga shteti serb.

Kurti ka ritheksuar përkushtimin e qeverisë për adresim të kërkesave dhe shqetësimeve të familjeve të personave të pagjetur, për domosdoshmërinë e avancimit të politikave institucionale, përmes të cilave do të ketë trajtim meritor për të pagjeturit dhe familjet e tyre.

Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar dhe i jep prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional të familjeve të tyre dhe vendosjen e drejtësisë.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar nga ministrja e…