Kurti për dialogun: Haradinaj ia dha kompetencat Thaçit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk është marrë më seriozisht nga asnjë qeveri e mëparshme sesa tani nga qeveria aktuale.
Në seancën plenare ku po diskutohet për zhvillimet në dialogun Kosovë – Serbi, Kurti i është përgjigjur kritikave të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se në vend për zgjidhjen përfundimtare, dialogu është kthyer për çështje teknike.
“Dialogu po zhvillohet nga teknikët”, ka thënë Haradinaj, duke aluduar në zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
Kurti ka thënë se në kohën sa ka qeverisur vendin, Haradinaj nuk ka qenë prioritet dialogu, por ka formuar grup me Shpend Ahmetin e Fatmir Limajn, e duke ia lënë në “dorë” ish-presidentit Hashim Thaçi këtë çështje të rëndësishme.
“Prandaj ju kisha lutur që të më ndihmoni mos thoni që njohja reciproke vjen sepse i bëni dëm Kosovës. Njohja reciproke është në qendër. Fjalia e sekretarit Blinken thotë se ShBA dhe Kosova gëzojnë marrëdhënie në vlerat e përbashkëta demokratike. Ne jemi të pavarur nuk është dialogu vetëm për neve por ndërmjet nesh dhe Serbisë. Dialogu që na kërkohet është për statusin e raportit më Serbinë jo Kosovës. Katër gjëra i përmend Biden, forcimi i sundimit të ligjit, mbrojtja e pakicave, forcimi i rritjes ekonomik, sigurimi i një marrëveshje të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke”, ka deklaruar Kurti.
“Dialogu nuk është marrë më seriozisht sesa nga qeveria jonë. Ne jemi serioz në dialog e bisedime. E trajtojmë me urgjencë çështjen e të pagjeturve. Në letrën e Blinkenit përmendet çështja e energjisë në veri. Ju deputeti Haradinaj keni qenë kryeministër dhe dialogun ia patët lënë ish-presidentit Thaçi. E patët bërë grupin me Fatmir Limaj e Shpend Ahmetin. Pra nuk mund të ju marr seriozisht”, ka thënë Kurti.