Kurti për gjendjen në Telekom: Një shushunjë më pak
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, ka folur për gjendjen në Telekom dhe ka thënë se ka mbetur një shushunjë më pak, por më e madhja, sipas tij, ishte “Z-Mobile”.
Ai ka deklaruar se Devollët nuk e kanë ngritur me qumësht e dyshekë. Janë bërë të rëndë (gjysmë miliardi euro thuhet), me telefoninë Z-Mobile që e rropi Telekomin e Kosovës, me monopolin në homologimin e automjeteve, me terminalet doganore pranë depove private të korporatës së tyre etj.
“As Z-Mobile nuk ishte e vetmja shushunjë mbi Telekomin e Kosovës. Kontratat e tjera të dëmshme janë aq të shumta në numër e të larta në vlerë saqë Telekomit nuk i shihet dot lëkura nga shushunjat e panumërta parazitore që ia thithin gjakun nga trupi i saj i zbehur. Mirëpo, Z-Mobile ishte shushunja më e madhe. Të tjerat duhen hequr po ashtu. Të gjitha, sa më shpejt. Njëkohësisht duhet shëruar plaga ku ishte kjo shushunjë duke kthyer te Vala ata 300 mijë numra të rrëmbyer e duke e dërguar lëndën në prokurorinë shtetërore e cila duhet të veprojë pa vonesë”, ka shkuar Kurti.
Kurti thotë gjithashtu se “shushunjat nuk duhen prekur me dorë kur ngjiten për trupi. Aq më pak duhen tërhequr meqë këputen e pastaj ngelen pjesërisht brenda trupit! Shushunjat hiqen me flakë, duke ua afruar flakën e duke i prekur ca me të, sepse ato nuk i durojnë dot temperaturat e larta dhe bien përdhe”.
“Në rastin e Telekomit të Kosovës kundër Z-Mobile, punëtorët e sindikatës dhe ekspertët profesionistë janë hidrogjeni dhe oksigjeni i flakës kundër shushunjës”, ka përfunduar Kurti.
/Epoka e Re/