![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/05/kurti-3.jpg)
Kurti për Ismet Bogujevcin: Kënga e tij do të rrojë jo vetëm me brezin tonë, por edhe me ata që do të vijnë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur lule dhe ka bërë homazhe para arkivolit të këngëtarit, Ismet Bogujevci, të vendosur në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Këngëtari i njohur i këngës popullore shqipe, Ismet Bogujevci është ndarë nga jeta një ditë më parë.
Në deklarimin para medieve pas homazheve, kryeministri Kurti, ka shpalosur disa kujtime nga fëmijëria dhe admirimin që kishte për këngëtarin Bogujevci.
Ai ka thënë se si fëmijë, teksa ndiqnin programin e vitit të ri në televizion, i prisnin me një mosdurim të gëzueshëm këngët e Ismet Bogujevcit dhe të Riza Bytyqit.
“Në vegjëli, se çka është martesa e mësuam prej prindërve, por edhe prej këngës ‘Martesa jonë’ të Ismet Bogujevcit. Edhe sot e kësaj dite kur e dëgjoj fjalën Kaçanik më ushtojnë veshët për shkak të vargut ‘ushton Gryka e Kaçanikut” të kënduar nga Ismet Bogujevci. E për Tefik Çangën, shumë kohë para se ta marr vesh se është emri i një fabrike të drurit në Ferizaj, dhe i një partizani të Luftës së Dytë Botërore, kam ditur ta këndoj ngapak duke e imituar Ismet Bogujevcin”, ka rikujtuar Kurti.
Ai ka theksuar se këngëtari Bogujevci ishte njeri tejet i mirë dhe i dashur.
“Ashtu siç do të na mungojë fizikisht dhe do të kemi mall për të shumë kohë të gjatë, njashtu edhe kënga e tij do të rrojë jo vetëm me brezin tonë, por edhe me ata që do të vijnë”, ka thënë Kurti.