Kurti për kërkesën për transferimin e të burgosurve shqiptarë nga Serbia: Kosova do të sigurojë trajtim të pavarur dhe të paanshëm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka sqaruar edhe më shumë kërkesën e Kosovës drejtuar Serbisë për transferimin e katër të të burgosurve shqiptarë nga Serbia.
“Në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore, sipas Marrëveshjes Bazike për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të shpallur ligjërisht të obligueshme nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, ministrja jonë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i është drejtuar ministres së Drejtësisë së Serbisë për transferimin në Republikën e Kosovës të katër të burgosurve shqiptarë në Serbi”, ka shkruar Kurti.
Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa, gjenden në burgjet e Serbisë mbi pretendimet për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Republika e Kosovës ka juridiksion të njohur ndërkombëtarisht mbi trajtimin e veprave që kryhen brenda territorit të saj. Si shtet demokratik që mbron dhe siguron të drejtat e njeriut përtej standardeve evropiane, republika jonë do sigurojë trajtim të pavarur e të paanshëm ndaj çdo pretendimi që ngritet ndaj qytetarëve të saj”, ka shkruar kryeministri i Kosovës.
Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka çuar kërkesë zyrtare Ministrisë së Drejtësisë në Serbi, për t’ transferuar qytetarët kosovarë që po mbahen atje nëpër burgje.
Haxhiu i shkroi ministres serbe se marrëveshja bazike për normalizimin e marrëdhënieve, e lidhur ndërmjet palëve kontraktuese, bazohet në respektimin ndaj integritetit territorial dhe parasheh zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.