Kurti për “Le Monde”: Serbia duhet të përballet me të kaluarën dhe të bëhet më demokratike
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitën e tij të parë në Francë e ka zhvilluar të mërkurën ku është pritur në takim nga presidenti francez, Emmanuel Macron. Prioriteti i tij diplomatik është ta marrë njohjen nga Serbia, të cilën Beogradi gjithmonë e ka refuzuar që nga lufta.
Kurti në një intervistë për gazetën “Le Monde” në Paris, ka thënë se është vetëm një çështje diskutimi mes tij dhe Vuçiqit. Për gazetën franceze, e cila e ka quajtur Kurtin si ish-aktivist të UÇK-së, kryeministri i Kosovës ka thënë se Serbia duhet ta pranojë realitetin dhe të demokratizohet.
“Kurti është ish-aktivist i krahut politik të guerilës kosovare, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). U mbajt në Serbi për dy vjet në kohën e luftës në Kosovë. Ai më pas e krijoi Lëvizjen Vetëvendosje, me një program revolucionar dhe u bë një kundërshtar i vendosur i qeverive të njëpasnjëshme të komandantëve të UÇK-së. Albin Kurti paraqitet sot si një socialdemokrat dhe u zgjodh si kryeministër me një program për ta luftuar papunësinë, korrupsionin dhe krimin e organizuar”, ka shkruar “Le Monde”.
Një pjesë e shkurtër nga intervista e Kurtit për gazetën franceze:
“Le Monde”: Sapo e keni takuar për herë të parë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel. Cila ishte përshtypja juaj?
Kurti: Ky është takimi i parë për një dialog në të ardhmen. Nuk ishte i lehtë, por konstruktiv. Kam insistuar që asgjë të mos fshihet nën tepih, pra që çështja e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë duhet të adresohet me sinqeritet. Të gjithëve na duhet kjo njohje reciproke.
Z. Vuçiq u përgjigj duke thënë se kurrë nuk do ta njohë Kosovën. Mospranimi i realitetit në njërën anë, apo e vërteta në anën tjetër, vijnë nga e njëjta logjikë. Serbia duhet të distancohet nga ditët e (Slobodan) Millosheviqit, i cili nisi aparteid dhe përfundoi me gjenocid në Kosovë.
Liderët e Serbisë duhet të ndahen nga trashëgimia e Millosheviqit.Pavarësia e Kosovës është 13-vjeçare. Nuk mund të kemi diskutime siç kemi bërë para vitit 2008. Që nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 2010, i cili validitoi faktin se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtar, ky debat është mbyllur.
Nuk do ta diskutoj statusin e Kosovës, është çështje e zgjidhur. E vetmja çështje sot është marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë. Vuçiqi duhet ta kuptojë këtë. Vuçiqi ende e konsideron Kosovën territor të cilin Serbia një ditë duhet ta rikthejë, pa marrë në konsideratë popullin dhe qytetarët e saj. Serbia duhet të përballet me të kaluarën dhe të bëhet më demokratike.