Kurti për liberalizimin e vizave: Presim të ndodhë më 2022

22 nëntor 2021 | 21:54

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosovës do të duhej t’i hiqeshin vizat në vitin e ardhshëm, pasi ka ardhur koha për një gjë të tillë.

Kurti komentet i bëri në Austri në diskutimin “Kosova: Një rreze shprese për demokraci në Evropën Juglindore?”

“Unë mendoj se është koha e duhur për Kosovën që të kemi liberalizim të vizave diku vitin e ardhshëm. Kjo nuk varet natyrisht nga ne. Por kurdo që takohemi kolegët evropianë dhe miqtë të gjithë e shohin si padrejtësi të madhe për Kosovën dhe në anën tjetër BE ka më shumë vetëbesim dhe kjo përkthehet në një besueshmëri më të madhe në Kosovë dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

Komiteti për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme në shtator 2019, e ka mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën. Një shumicë prej 49 ligjvënësish ranë dakord të fillojnë bisedimet me Këshillin e BE-së për propozimin e heqjes së vizave për Kosovën.

Votime të ngjashme ishin mbajtur edhe në shtator 2018 dhe mars 2019, por mandati për bisedime me Këshillin e BE-së është dashur të ripërtërihet pas zgjedhjeve të përgjithshme të BE-së në muajin maj.

Liberalizimi i vizave për Kosovën mbetet ende i diskutueshëm në Këshillin e BE-së, pasi Franca dhe Holanda vazhdojnë të hezitojnë që t’i japin Këshillit një mandat për të negociuar me parlamentin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori universitar, Blerim Latifi, ka folur në emisionin Pressing në…