Kurti për marrëveshjen e Uashingtonit: Ka disa pika që janë problematike për Kushtetutën tonë

13 korrik 2021 | 13:32

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për “European Western Balkans (EWB)” ka folur për marrëveshjen e Uashingtonit, të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë nën ndërmjetësimin e ish-presidentit Donald Trump e të nënshkruar nga ish-kryeministri Avdhullah Hoti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Kurti ka thënë se duhet qenë të kujdesshëm me marrëveshjen e Uashingtonit, meqë, sipas tij disa pika të kësaj marrëveshje janë problematike. Në këtë kontekst, Kurti ka përmendur moratoriumin njëvjeçar për të mos lobuar për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare.

Gjithashtu, Kurti në këtë intervistë ka mohuar të ketë thënë që thjesht s’do ta marrë parasysh të gjithë marrëveshjen e Uashingtonit, derisa ka shtuar se njohja nga Izraeli është pika më e vlefshme e marrëveshjes.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë fituese të zgjedhjeve të fundit, e ka rikujtuar edhe faktin që Serbia nuk është duke i’u përmbajtur zotimeve, duke e përmendur refuzimin për zhvendosje të ambasadës nga Tel Avivi në Jerusalem.

“Unë jam një nga liderët që e kanë mbështetur presidentin Biden, të kundërtën e presidentit Vuçiq, i cili ka lobuar fort për presidentin Trump. Unë s’kam thënë që atë që është nënshkruar në Uashington do ta hedh thjesht tutje, aspak ashtu. Pika e fundit, që ishte njohja e Izraelit për Kosovën, është implementuar dhe është pjesa më e vlefshme e marrëveshjes. Ju duhet ta dini që dy tekstet nuk janë të njëjta. Për shembull, në tekstin e palës serbe ishte shkruar që ambasada do të zhvendoset nga Tel Aviv në Jerusalem, por s’ndodhi siç ishte supozuar. Kështu që, dy tekste të ndryshme, dy zotime të njëanshme. Ne nuk duam që ta neglizhojmë në parim, por në të njëjtën kohë  duhet të jemi të kujdesshëm, sepse janë disa pika problematike për Kushtetutën tonë e që janë nënshkruar si zotime nga kryeministri paraprak. Vetëm sa për ta përmendur, fakti që ne nuk jemi duke lobuar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Kjo është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti për “EWB”-në.

Kujtojmë se kryeministri Kurti pasi ishte rrëzuar nga pushteti herën e parë, kishte deklaruar se kur të vinte në pushtet nuk do ta ratifikonte në Kuvend një marrëveshje të tillë.

“Ne nuk kemi detyrime për zotimet e kryeministrit të paligjshëm të Kosovës kur të kthehemi në detyrë. Nënshkrimi i tij poshtë teksteve jo koherente dhe jo transparente është kundër vullnetit të popullit, rendit demokratik dhe shkel kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ato nuk do të ratifikohen në Parlamentin tonë. Ndërmjetësit duhet të përmbahen nga nxitja e marrëveshjeve që shkaktojnë përçarje të mëtejshme midis Kosovës dhe Serbisë. Vetëm dialogu parimor dhe i përgatitur mirë çon në marrëveshje të drejta dhe të qëndrueshme”, kishte shkruar Albin Kurti në llogarinë e vet në “Twitter”.

Për këtë në shtatorin e vitit 2020 i kishte reaguar Richard Grenell, atë kohë emisar i Trumpit për dialogun, duke e quajtur Kurtin si kundërshtar të Amerikës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person ka vdekur dhe dy të tjerë kanë mbetur…