Kurti: Për masakrën në Pastasel ka dëshmitarë dhe dëshmi, Prokuroria të ngritë aktakuza
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga Prokuroria e Kosovës, që dëshmitë të cilat ekzistojnë për masakrën e kryer në Pastasel të Ravocecit, t’i përdorë për të ngritur aktakuzë.
Ai në përkujtim të kësaj masakre ku më 31 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake të Serbisë vranë 106 civilë të paarmatosur shqiptarë, ka bërë të ditur se ka vizituar këtë fshat, siç ka shkruar për të kundruar e denoncuar krimin e Serbisë.
“Masakra e Pastaselit ka dëshmitarë dhe dëshmi, të cilat Prokuroria në Kosovë do të duhej t’i kthej në dosje provash për aktakuza për krime lufte. Shteti që e gëzojmë dhe liria që e jetojmë i ka rrënjët në gjakun e martirëve e dëshmorëve të kombit tonë. E përhershme është përgjegjësia jonë për drejtësinë e historinë e të vrarëve dhe për progresin dhe zhvillimin e Republikës sonë! I përjetshëm qoftë kujtimi i martirëve të Pastaselit”, ka shkruar Kurti.