Kurti për premtimin për banesat për çiftet e reja: Projekti do të fillojë të zbatohet këtë vit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur edhe njëherë për premtimin e tij në lidhje me sigurimin e banesave për çiftet e reja.
Ai në seancën plenare ka thënë se kostoja e ndërtimit për këtë projekt parashihet të jetë përafërsisht 200 milionë euro.
Më tutje, Kurti ka theksuar se ky projekt do të fillojë që të zbatohet brenda këtij viti.
“Projekti për banim të përballueshëm zbatohet për herë të parë në Kosovë. Është aprovuar kredia prej 25 milionë euro nga Banka për Zhvillimin e Kosovës. Ministria e Mjedisit, me datë 16 shkurt 2022 ka nënshkruar marrëveshje me IFC-në për banim me kosto të përballueshme. IFC-ja me datë 01 shkurt 2023, ka prezantuar para ministrit Liburn Aliu studimet se si ky projekt mund të realizohet në Kosovë. Kostoja e ndërtimit për këtë projekt është përafërsisht 200 milionë euro. Projekti do të filloj të zbatohet gjatë këtij viti. Lokacionet e siguruara deri më tani janë Prishtina, Peja dhe Gjilani”, ka thënë Kurti.