Kurti për rastin e Klan Kosovës: Ndjekja e rregullave të regjistrimit është detyrë ligjore
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ndjekja e rregullave të regjistrimit nga ana e bizneseve është detyrë ligjore e jo “teknalitet”.
Këtë deklarim Kurti e ka bërë teksa ka komentuar vendimin e Ministrisë së Industrusë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), e cila ka refuzuar ankesën e Klan Kosovës duke ia pezulluar veprimtarinë.
Kryeministri i ka dhënë mbështetje të plotë MINT-it “për kryerjen e detyrave përballë interesave të fuqishme të biznesmenëve të pasur”.
“Kosova ka 468 biznese të regjistruara, aktiviteti primar i të cilave është media dhe 114 kompani të licencuara audio apo audiovizive. Ndjekja e rregullave të regjistrimit është detyrë ligjore, jo një “teknikalitet”. Dhe zbatimi i rregullave të tilla kundër një shkelësi të vetëm nuk kërcënon pluralizmin mediatik”, ka shkruar ai në Tëitter.
Kreu i ekzekutivit tutje ka thënë se demokracia sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare. Dhe sipas tij, zbatimi i ligjit kundër shkeljeve të njerëzve të tillë – në asnjë mënyrë – nuk përbën sulm ndaj lirisë së medias.
“Në demokraci, organet e autorizuara për të vendosur për raste të tilla nuk qëndrojnë në Zyrën e Kryeministrit. Megjithatë, këto organe kanë mbështetjen e plotë të Zyrës sonë në kryerjen e detyrave të tyre, përballë interesave të fuqishme të biznesmenëve të pasur të rreshtuar kundër tyre. Liritë e medias janë jetike: sulmi ndaj tyre është sulm ndaj demokracisë. Por, demokracia gjithashtu sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare. Dhe zbatimi i ligjit kundër shkeljeve të njerëzve të tillë – në asnjë mënyrë – nuk përbën sulm ndaj lirisë së medias”, ka përfunduar Kurti.
Kosova has 468 registered businesses whose primary activity is media & 114 licensed audio or audiovisual companies. Following registration rules is a legal duty, not a "technicality." And enforcing such rules against a single violator does nothing to threaten media pluralism.
— Albin Kurti (@albinkurti) July 29, 2023
MINT-i e ka hedhur poshtë ankesën e Klan Kosovës për shfuqizimin e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit privat, më 28 korrik.
Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve vendosi të premten se Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) kishte “vepruar në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës”.
Vendimi i Komisionit e përmbyll këtë rast brenda Ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.
Televizioni ka paralajmëruar ankesë në shkallët më të larta të drejtësisë, ndërkaq vendimi i Ministrisë së Rozeta Hajdarit ka nxitur reagime të shumta. /Telegrafi/