Kurti një ditë pas shkarkimit të qeverisë: Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur për herë të parë pas rrëzimit të qeverisë se tij nga ana e Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se kjo rënie ishte e domosdoshme për një ngritje të nevojshme. “Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme. Pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje. Jo se e kemi ditur, gjithsesi e morëm vesh”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Kurtit:
Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme. Pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje. Jo se e kemi ditur, gjithsesi e morëm vesh.
Mbledhja e djeshme e Kuvendit do të ishte mirë të mbahej mend gjatë. Mirëpo, nuk do të ndodhë kështu, sepse ne do të fitojmë. Pra, e ardhmja është e jona, ndërkohë që do ta humbim një tragjedi.
Ky Kuvend nuk e beson këtë qeveri sepse i nënshtrohet qeverisë si të tillë. Qeveria jonë nuk e beson këtë Kuvend sepse e dashuron Kuvendin si të tillë.
Saktë e kishte thënë mbrëmë prof. Enver Hasani: mosbesimi ishte koniuktural. Kur përfaqësimi demokratik bie në koniukturë politike, tjetërsimi bëhet normë.
Qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial.
Do të vazhdojmë si qeveri në detyrë. Jemi qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar.
Para së gjithash, duhet ta luftojmë bashkë pandeminë Covid-19. Mbi të gjitha, le t’i rrimë popullit afër se Kosova është shtëpia jonë.