Kurti për shembjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë: Ne duhet të jemi mbrojtësit e kulturës sonë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj shembjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë.
Kurti përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se “ne duhet të jemi mbrojtësit e çdo cepi të kulturës sonë. Një pjesë e saj na është vjedhur nga pushtuesi serb – 1.200 artefakte kulturore të Kosovës. Një pjesë tjetër na është shtypur e ndrydhur nga diktatura e ideologji, na është sulmuar nga akademitë e fqinjëve, na është shitur e rrënuar prej paditurisë zyrtare a korrupsionit institucional”.
Ai ka theksuar se arkiva e një populli, kujtesa e tij, duhet të mbahet e paprekur nga regjimet. “Kultura është krijuar nëpër historitë e regjimeve, por në thelb të saj është krijimtaria dhe aderimi i një populli. Kur shembet një monument kulture, kjo nuk ndodh si pasojë e një gjykimi të pjesshëm, që vjen prej shijes së veçantë të dikujt, por prej interesave të përkohshëm që lidhen me përfitimet e disave”, ka thënë Kurti.
Kryeministri në detyrë ka pohuar se i mbështet artistët dhe qytetarët e Tiranës që e mbrojtën kaq gjatë Teatrin Kombëtar.
“I përshëndes dhe i mbështes tërë artistët dhe qytetarët e Tiranës që e mbrojtën kaq gjatë Teatrin Kombëtar. Kur ndodhin humbje, ngjarjen sa edhe vetë humbja, e shënon në histori rezistenca. Në rezistencë mësojmë, e meqë nuk i harrojmë ato mësime, ata që sot përfitojnë, nesër humbin, kurse ata që humbin fitojnë”, ka deklaruar Kurti.
(M.Q / Epoka e re)